Putini thotë se Rusia nuk ka interesim për t’i sulmuar Poloninë ose Letoninë - NACIONALE

Putini thotë se Rusia nuk ka interesim për t’i sulmuar Poloninë ose Letoninë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në një intervistë të publikuar të enjten se Rusi do të luftojë për interesat e saj “deri në fund”, por nuk ka interesim për ta zgjeruar luftën e saj në Ukrainë në shtete të tjera si Polonia ose Letonia.

Në intervistën e tij të marë me një gazetar amerikan që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës para gati dy vjetëve, Putini tha se udhëheqësit perëndimorë e kanë kuptuar se është e pamundshme t’i shkaktohet humbje strategjike Rusisë dhe po hamenden se çfarë të bëjnë tutje, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne jemi gati për këtë dialog” – shtoi kreu i Kremlinit.

Putini tha, gjithashtu, se beson që është e mundshme të arrihet një marrëveshje për ta liruar gazetarin amerikan të gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili është duke u mbajtur i ndaluar në Rusi për gati një vit dhe po e pret gjykimin nën akuzat për spiunazh.

Kur u pyet nëse mund të imagjinonte një skenar në të cilin ai do të dërgonte trupa ruse në Poloni, anëtare e NATO-s, presidenti rus tha: “Vetëm në një rast, nëse Polonia e sulmon Rusinë. Pse? Sepse ne nuk kemi interesim për Poloninë, Letoninë ose kudo tjetër. Pse do ta bënim këtë? Ne thjesht nuk kemi asnjë interesim.”

Putini ndau një pjesë të konsiderueshme të kohës gjatë intervistës për t’u ankuar se Ukraina kishte qenë buzë arritjes së një marrëveshjeje për t’u dhënë fund luftimeve gjatë bisedimeve në Stamboll në prill të vitit 2022, por ishte tërhequr, sipas tij, porsa trupat ruse ishin tërhequr nga zona afër Kievit.

Sipas presidentit rus, ShBA-ja ka probleme të brendshme urgjente për t’u brengosur rreth tyre. “A nuk do të ishte më mirë që të bisedohej me Rusinë? Të bëhet një marrëveshje. Tashmë duke e kuptuar situatën që po zhvillohet sot, duke kuptuar se Rusia do të luftojë për interesat e saj deri në fund” – shtoi Putini.

Lajme të ngjashme