Putini thotë se Rusia mund të godasë “qendra të vendimmarrjes” në Kiev - NACIONALE

Putini thotë se Rusia mund të godasë “qendra të vendimmarrjes” në Kiev

1 javë më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke përzgjedhur caqe në Ukrainë që mund të përfshijnë “qendra të vendimmarrjes” në Kiev si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase me rreze të gjatë ndaj territorit rus duke përdorur armë perëndimore, tha të enjten presidenti rus, Vladimir Putin.

Sulmet ruse deri më tani nuk kanë goditur ndërtesa qeveritare në kryeqytetin ukrainas. Kievi është i mbrojtur në masë të dendur me sisteme të mbrojtjes ajrore, por Putini thotë se raketa hipersonike ruse e tipit “Oreshnik”, të cilën forcat ruse e shkrepën për herë të parë ndaj një qyteti ukrainas javën e kaluar, nuk mund të pengohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Natyrisht, ne do të kundërpërgjigjemi ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj territorit rus me raketa me rreze të gjatë të prodhuara nga Perëndimi, siç është thënë tashmë, përfshirë mundësisht vazhdimin e testimit të Oreshnik-ut në kushte luftarake, siç u bë më 21 nëntor” – tha Putini në Kazakistan, në një takim të një aleance sigurie të shteteve që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

“Tani, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm janë duke përzgjedhur caqe për t’i goditur në territorin ukrainas. Këto mund të jenë objekte ushtarake, ndërmarrje industriale e të mbrojtjes, ose qendra të vendimmarrjes në Kiev” – shtoi ai.

Rusia thotë se Ukraina hodhi raketa balistike të prodhimit amerikan, ATACMS, drejt pjesës perëndimore të Rusisë për herë të parë më 19 nëntor, duke e nxitur kundërpërgjigjen dy ditë më vonë përmes raketës “Oreshnik”, raketë e re me rreze të mesme, në qytetin Dnipro të Ukrainës.

Prej asaj dite, Rusia thotë se Ukraina ka hedhur më shumë raketa ATACMS drejt rajonit Kursk më 23 dhe 25 nëntor.

Putini tha se prodhimi rus i sistemeve të avancuara raketore është dhjetëfish më i madh se i NATO-s dhe se Moska planifikon që ta rrisë prodhimin edhe më tej./Nacionale

Lajme të ngjashme