Putini thotë se Rusia ka mungesë armësh pavarësisht nga shtimi i prodhimit - NACIONALE

Putini thotë se Rusia ka mungesë armësh pavarësisht nga shtimi i prodhimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e armatosura të Rusisë ende kanë mungesë të armëve të caktuara, përfshirë dronët, pavarësisht nga rritja e madhe e prodhimit, tha të mërkurën presidenti rus, Vladimir Putin.

Kreu i Kremlinit tha në një takim të Komisionit Industrial Ushtarak se pothuajse të gjitha ndërmarrjet e mbrojtjes i kanë përmbushur urdhrat e tyre plotësisht vitin e fundit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Për shembull, prodhimi i armëve, sistemeve të komunikimit, zbulimit dhe sistemet elektronike të luftës u rritën për më shumë se dyfish. Trupat pranuan mbi 4 mijë njësi të armëve të blinduara, 180 aeroplanë e helikopterë” – tha Putini në komentet e transmetuara në televizion.

Ai shtoi se janë prodhuar edhe mbi 1,5 milion dronë të llojeve të ndryshme, përfshirë rreth 4 mijë dronë të tipit FPV, të cilët janë modele të lehta të dizajnuara për shënjestrim preciz.

Megjithatë, presidenti rus tha: “Jam i sigurt se të gjitha planet për shtimin e prodhimit të pajisjeve të nevojshme, në këtë rast dronëve, qartazi do të përmbushen. Ata po i presin me padurim ato në front.”

Komentet e Putinit sinjalizuan se Rusia synon që ta shtojë më tej prodhimin ushtarak në vitin e katërt të luftës së saj në Ukrainë, edhe pse po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara rreth mënyrave për përfundimin e luftës.

Rusia i ka aktivizuar fabrikat e mbrojtjes për të punuar me kapacitet maksimal që nga fillimi i luftës. Moska ka siguruar sasi të madhe të pajisjeve ushtarake edhe nga shtete të tjera, përfshirë dronët “Shahed” nga Irani dhe artilerinë, raketat balistike e sistemet raketore nga Koreja e Veriut./Nacionale

Lajme të ngjashme