Putini thotë se do të flasë me Assadin, mohon se rrëzimi i tij është humbje për Rusinë
Presidenti rus, Vladimir Putin, të enjten mbajti një konferencë me pyetje e përgjigje me gazetarë, ku u pyet për shumë çështje. Ndër të tjera, ai e përmendi edhe ish-presidentin e rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, të cilit i ka dhënë azil në Rusi.
Kreu i Kremlinit u pyet nëse do ta pyesë Assadin për të dhëna rreth njerëzve që ende janë të zhdukur në Siri dhe për gazetarin amerikan, Austin Tice, i cili ishte zhdukur në Siri më 2012, raporton televizioni BBC.
Dhjetëra mijëra familje në Siri janë duke kërkuar të afërm që janë zhdukur në sistemin famëkeq të burxheve të Assadit ose në qendrat ushtarake të intervistimit.
Nëna e gazetarit Tice thotë se është e përgatitur për të shkuar në Moskë, shtoi gazetari që ia bëri pyetjen Putinit.
Presidenti rus tha se “nuk e ka parë presidentin Assad ende”, por planifikon që ta bëjë këtë. “Unë do të kem një bisedë me të. Jemi të rritur, kuptojmë” – tha ai, duke premtuar se do ta pyesë Assadin nëse di se çfarë i ka ndodhur gazetarit amerikan.
Sa i përket rrëzimit të regjimit të Assadit, Putini tha se forcat e ish-presidentit sirian i kanë braktisur pozicionet e tyre pa rezistuar, gjë që e shpjegon shpejtësinë e humbjes. Sidoqoftë, ai mohoi se rrëzimi i aleatit të tij nga pushteti paraqet humbje për Rusinë.
Më tej, kreu i Kremlinit foli për statusin e bazave ushtarake ruse në Siri, duke thënë se janë duke u zhvilluar bisedime me partner në terren dhe pretendon se ata do ta mbajnë kontrollin e bazave.
Sipas tij, këto baza do të shfrytëzohen për të shpërndarë ndihma humanitare.
Duke u mbështetur në pamje satelitore, televizioni BBC raporton se forcat ruse duket se janë duke u përgatitur për t’i tërhequr pajisjet nga bazat e tyre në Siri./Nacionale