Putini s’u arrestua në Mongoli, por u prit me gardë të nderit – reagon Ukraina
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha të hënën se dështimi i Mongolisë për ta arrestuar presidentin rus, Vladimir Putin, sipas një urdhërarresti të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), paraqet “goditje të rëndë” ndaj sistemit ndërkombëtar të drejtësisë penale.
Kreu i Kremlinit arriti në Mongoli për bisedime që me gjasë do të përqendrohen rreth një gazsjellësi të ri që do ta lidhë Rusinë me Kinën, raporton gazeta “The Guardian”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tykhyi, tha: “Mongolia ka lejuar një kriminel të akuzuar që t’i shmanget drejtësisë, kështu duke e ndarë përgjegjësinë për krimet e luftës.”
Gjykata Ndërkombëtare Penale tha javën e kaluar se të gjitha shtetet anëtare të saj kishin “detyrim” që t’i arrestojnë personat që kërkohen nga gjykata. Në praktikë, megjithatë, ka pak gjëra që mund të bëhen, nëse Mongolia nuk e respekton urdhërarrestin.
“Presidenti Putin është një i arratisur nga drejtësia. Çfarëdo udhëtimi në një shtet anëtar të GjNP-së, që nuk përfundon në arrestim, do ta inkurajojë rrjedhën e tanishme të veprimit të presidentit Putin dhe duhet të shihet si pjesë e një përpjekjeje strategjike për ta minuar punën e GjNP-së” – tha Altantuya Batdorj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Amnesty International” për Mongolinë.
Në Bruksel, Komisioni Evropian i bëri thirrje Mongolisë që t’i përmbushë detyrimet e saj që i ka marrë me rastin e ratifikimit të Statutit të Romës më 2002, me të cilin është themeluar GjNP-ja.
Organizata tjetër e njohur për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, theksoi se Mongolia ishte në mesin e 94 shteteve që në qershor kishin nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku deklarohej “përkrahja e palëkundur” e atyre vendeve për GjNP-në.
Erdenebalsuren Damdin, mongolez, është njëri nga gjykatësit e trupit gjykues të GjNP-së. Mongolia e mirëpriti Putinin me gardën e nderit dhe nuk dha ndonjë shenjë se presidenti rus ishte në rrezik për t’u arrestuar, përderisa nuk kishte ndonjë përgjigje zyrtare mongoleze ndaj thirrjeve për ta respektuar urdhërarrestin./Nacionale