Putini pritet me nderime në Uzbekistan, Rusia do të ndërtojë një central bërthamor
Rusia dhe Uzbekistani nënshkruan një pakt të hënën që Moska të ndërtojë një central të vogël bërthamor në shtetin e Azisë Qendrore. Presidenti rus, Vladimir Putin, u takua atje me homologun uzbek, Shavkat Mirziyoyev.
Presidenti i Uzbekistanit e cilësoi projektin si “jetik” në komentet e tij pas takimit me kreun e Kremlinit, duke theksuar se vendi i tij ka “rezerva të mëdha të uraniumit”, raporton agjencia “Associated Press”.
Në anën tjetër, presidenti rus u zotua për të “bërë gjithçka që të punohet në mënyrë efikase në tregun [e energjisë bërthamore] e Uzbekistanit”.
Nëse marrëveshja zbatohet, ky central do të ishte i pari në Azi Qendrore, duke e rritur edhe më tej ndikimin e Rusisë në rajon.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “RIA Novosti”, e citoi korporatën shtetërore ruse të energjisë, “Rosatom”, të ketë thënë se në projekt parashihet ndërtimi i gjashtë reaktorëve me kapacitet të përgjithshëm prej 330 megavatësh. Sipas mediave ruse, dy shtetet më parë ishin duke e diskutuar ndërtimin e një centrali bërthamor me kapacitet më të madh - me 2,4 gigavatë.
Putini gjithashtu premtoi se do të shtohen dërgesat e gazit në Uzbekistan.
Biseda mes dy presidentëve u zhvillua në kryeqytetin uzbek, Tashkend, ku Putini shkoi të dielën në udhëtimin e tij të tretë jashtë vendit që nga inaugurimi në mandatin e pestë presidencial më herët këtë muaj.
Ai së pari shkoi në Kinë, ku i çmoi propozimet e Pekinit për bisedime rreth përfundimit të konfliktit në Ukrainë, pastaj më vonë në Bjellorusi, ku Rusia ka vendosur armë bërthamore taktike.