Putini pretendon se trupat ruse kanë rrethuar dy qytete ukrainase – Kievi e përgënjeshtron
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pretendoi të mërkurën se trupat ruse i kanë rrethuar forcat ukrainase në dy qytete kyçe në lindje të Ukrainës dhe u kanë bërë ofertë që të negociojnë një marrëveshje për dorëzim. Ushtria ukrainase e mohoi fuqishëm këtë pretendim.
Duke folur në një takim me ushtarë të plagosur në një spital ushtarak në Moskë, Putini sugjeroi se ushtria ruse është e gatshme që të hapë korridore të sigurta për gazetarët ukrainas e perëndimorë që “t’u lejojë të shohin me sytë e tyre se çfarë është duke ndodhur”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kreu i Kremlinit pretendoi se trupat ukrainase janë rrethuar në Pokrovsk, bastion kyç ukrainas në rajonin lindor të Donetskut, dhe në Kupianks, lidhje e rëndësishme hekurudhore në rajonin verilindor të Kharkivit.
Sidoqoftë, forcat e armatosura ukrainase thanë se pretendimet se Kupiansku është rrethuar janë “fabrikime dhe fantazi” ndërsa zëdhënësi i forcave lindore të Ukrainës, Hryhorii Shapoval, i tha agjencisë “Associated Press” se situata në Pokrovsk është “e vështirë por nën kontroll”.
Trupa e 7-të e Reagimit të Shpejtë e Ushtrisë së Ukrainës, e cila po e mbron Pokrovskun, tha se Rusia kishte dislokuar rreth 11.000 ushtarë në përpjekje për ta rrethuar qytetin. Ushtria pranoi se disa njësi ruse kishin arritur që të depërtonin në qytet.
Zyrtarët rusë në të kaluarën kanë bërë pretendime për kapjen e bastioneve ukrainase, që më vonë kanë dalë të jenë të pavërteta. Verifikimi i pavarur i pretendimeve të Putinit nuk qe i mundshëm.
Presidenti rus dha shenjë të mërkurën se Rusia është e hapur për një marrëveshje që trupat ukrainase në ato dy qytete të dorëzohen. Sipas tij, një vizitë e gazetarëve në ato zona do t’u lejonte që ta shohin “gjendjen e trupave të rrethuara ukrainase në mënyrë që udhëheqja politike e Ukrainës të ndërmarrë vendime përkatëse në lidhje me fatin e qytetarëve të saj”.
Grupe të vogla të ushtarëve rusë po përfshihen në beteja shtëpi më shtëpi në Kupiansk dhe Pokrovsk, sipas zyrtarëve ukrainas e blogerëve rus të luftës, ndërsa rrugët po vihen në shënjestër me artileri e dronë./Nacionale