Putini jep urdhër për rekrutimin më të madh ushtarak vjeshtor që nga viti 2016
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër që 135 mijë burra rusë të ftohen për shërbim ushtarak në atë që e përbën rekrutimin më të madh vjeshtor që nga viti 2016.
Presidenti rus dëshiron që të rekrutojë 135 mijë burra të moshës 18 deri 30-vjeçare nga tetori deri në dhjetor për t’u bërë pjesë e shërbimit ushtarak rutinor, i cili përfshin zakonisht një vit qëndrimi në një bazë ushtarake brenda Rusisë, raporton “The Telegraph”.
Edhe pse shërbimi ushtarak nuk është patjetër thirrje për të luftuar në Ukrainë, proces që njihet si mobilizim, ka pasur raportime për rekrutë që janë dërguar në vijën e frontit.
Rekrutët që e kompletojnë trajnimin ushtarak ballafaqohen me mundësi më të madhe për t’u dislokuar në fushën e betejës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, më shumë se një milion ushtarë rusë janë vrarë ose janë plagosur gjatë luftës në Ukrainë.
Në shtatorin e vitit të kaluar, Putini e rriti ushtrinë ruse në 1,5 milion ushtarë aktivë, duke e bërë atë një prej më të mëdhave në botë.
Rekrutimi i ri është rekrutimi më i madh vjeshtor që nga viti 2016 dhe, i kombinuar me 160.000 të ftuarit për shërbim ushtarak në pranverë, i bie që ky vit do të jetë viti me numrin më të madh të përgjithshëm të të rekrutuarve që nga viti 2016, gjithashtu.
Pavarësisht pretendimit të presidentit rus se po punon për arritjen e paqes në Ukrainë, ky veprim do të shihet gjerësisht si lëvizje për ta vazhduar luftën./Nacionale