Putini i pret për bisedime rreth Ukrainës në Moskë tre emisarët amerikanë - NACIONALE

Putini i pret për bisedime rreth Ukrainës në Moskë tre emisarët amerikanë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, filloi të enjten vonë një takim me tre emisarët amerikanë për të diskutuar një plan rreth përfundimit të luftës në Ukrainë, tha Kremlini.

Amerikanët Steve Witkoff dhe Jared Kushner ishin të shoqëruar edhe nga Josh Gruenbaum, i emëruar rishtazi nga presidenti Donald Trump si këshilltar i lartë në Bordin e Paqes, i cili e ka për detyrë ndaljen e konflikteve ndërkombëtare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Putini u përshëndet me emisarët amerikanë pak para mesnatës në Moskë, pasi Trumpi tha se një marrëveshje ishte “afër në masë të arsyeshme” dhe emisari Witkoff tha se bisedimet kanë arritur deri te një pikë e fundit.

Disa minuta pas fillimit të këtyre bisedimeve, Rusia tha se kishte kryer një patrullim të aeroplanëve bombardues strategjikë – diçka që e bën rregullisht si shfaqje e fuqisë.

Kremlini tha se Putini, njësoj si në takime të mëparshme me palën amerikane, u shoqërua nga ndihmësi i tij për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, dhe emisari i posaçëm, Kirill Dmitriev.

Të mërkurën, presidenti amerikan tha se homologët e tij nga Rusia e Ukraina, Putini e Volodymyr Zelensky, do të ishin “budallenj”, nëse dështojnë që të bashkohen e të arrijnë një marrëveshje./Nacionale

Lajme të ngjashme