Putini i gatshëm ta diskutojë thirrjen e Zelenskyt për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës civile, thotë Kremlini - NACIONALE

Putini i gatshëm ta diskutojë thirrjen e Zelenskyt për ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës civile, thotë Kremlini

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia është e gatshme që të shqyrtojë një propozim të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ndaljen e sulmeve nga të dyja palët ndaj infrastrukturës civile të njëra-tjetrës, tha të martën Kremlini.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo është një temë komplekse të cilën presidenti Vladimir Putin është i gatshëm ta diskutojë. Megjithatë, ai tha para gazetarëve gjithashtu se nuk ka plane konkrete për momentin për bisedime mes Rusisë e Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të dyja palët janë nën presion për të treguar progres drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar kërcënoi se do të hiqte dorë nga përpjekjet për ndërmjetësimin e marrëveshjes së paqes.

Zelensky tha të hënën se Ukraina është e gatshme për çfarëdo forme të diskutimit që do ta sillte fundin e sulmeve ndaj objekteve civile.

“Ukraina qëndron prapa propozimit të saj për të mos sulmuar të paktën ndaj caqeve civile dhe ne po presim një përgjigje të pastër nga Moska. Ne jemi të gatshëm për çfarëdo bisede për atë se si të arrihet kjo” – tha presidenti ukrainas.

Kur u pyet për përgjigjen e Kremlinit, Peskovi tha se tema duhet të diskutohet duke e marrë parasysh përvojën e armëpushimit 30-orësh për Pashkë, të cilin Putini e shpalli fundjavën e kaluar.

Peskovi e citoi Putinin të ketë thënë se një objekt civil mund të bëhet shënjestër ushtarake, nëse luftëtarët e armikut takohen aty.

Gjatë luftës në Ukrainë janë vrarë civilë në të dyja anët, por shumë më shumë në Ukrainë. Të paktën 35 persona u vranë më 13 prill nga një sulm rus me raketa ndaj qytetit ukrainas, Sumy./Nacionale

Lajme të ngjashme