Putini e shkarkon ministrin Starovoit
Presidenti rus, Vladimir Putin, të hënën e shkarkoi ministrin e Transportit, Roman Starovoit, në një lëvizje të papritur që vjen në kohën e sfidave të konsiderueshme për sektorin e transportit, përderisa lufta me Ukrainën po vazhdon në vitin e katërt.
Sektorit të aviacionit në Rusi po i mungojnë pjesët rezervë dhe Hekurudhat e Rusisë, punëdhënësi më i madh në vend, po ballafaqohen me kostot të larta të interesit, pasi shkallët e larta – që nevojiten për ta luftuar inflacionin e përkeqësuar nga lufta – po i sjellin pasojat e veta, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në dekretin e Putinit nuk u përmend ndonjë arsye për shkarkimin e ministrit Starovoit pas pak më shumë se një viti në postin e lartë. Ai ishte emëruar ministër në maj të vitit 2024, pasi kishte shërbyer për gati pesë vjet si guvernator i rajonit Kursk që kufizohet me Ukrainën.
Kremlini tha se Andrei Nikitin, ish-guvernator i rajonit Novgorod, është emëruar ministër në detyrë i Transportit dhe publikoi fotografi ku ai shihej duke i shtrënguar duart me Putinin në Kremlin.
Dy burime brenda industrisë së transportit, të cilat kërkuan që të mos identifikoheshin, thanë se planet për ta zëvendësuar Starovoit-in me Nikitin-in ishin duke u zhvilluar që para mbajtjes së Forumit Ekonomik Ndërkombëtar muajin e kaluar në Shën Petersburg.
Ministria e Transportit refuzoi që të komentonte.
Në takimin me Putinin, Nikitini foli për punën rreth detyrës së madhe të digjitalizimit të industrisë së transportit në Rusi në përpjekje për t’i pakësuar pengesat në transportimin e mallrave dhe për të siguruar qarkullim më të lehtë të mallrave matanë kufirit./Nacionale