Putini e shënon njëvjetorin e aneksimit të katër rajoneve ukrainase në Rusi - NACIONALE

Putini e shënon njëvjetorin e aneksimit të katër rajoneve ukrainase në Rusi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të shtunën këmbënguli se banorët e katër rajoneve ukrainase – që Moska i aneksoi ilegalisht para një viti – “e bënë zgjedhjen e tyre – të jenë me atdheun e tyre”.

Në një adresim të publikuar në orët e hershme për ta shënuar njëvjetorin e aneksimit, Putini këmbënguli se ky proces ishte kryer “në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare”. Ai gjithashtu pretendoi se banorët e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhias e Khersonit përsëri e kishin shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e Rusisë në zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë muaj, në të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë tha se partia ruse në pushtet i fitoi shumicën e votave.

Perëndimi i ka cilësuar referendumet e vitit të kaluar dhe zgjedhjet e mbajtura rishtazi si mashtrim. Votimet ishin mbajtur në kohën e përpjekjeve të autoriteteve ruse për ta forcuar kontrollin në territoret e aneksuara ilegalisht vitin e kaluar dhe të cilat Moska ende nuk i kontrollon plotësisht, raporton agjencia “Associated Press”.

Një koncert u mbajt të premten në Sheshin e Kuq në Moskë për ta shënuar njëvjetorin e aneksimit, por Putini nuk mori pjesë në të.

Ndërkohë, në Ukrainë, guvernatori i rajonit jugor të pushtuar pjesërisht, Zaporizhia, Yurii Malashko, tha se pesë persona u plagosën të shtunën nga dy sulme me raketa ndaj fshatit Matviivka, që ndodhet në periferinë verilindore të kryeqytetit rajonal, i cili gjithashtu quhet Zaporizhia.

Forcat ajrore ukrainase thanë të shtunën se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 30 nga 40 dronët kamikazë iranianë që u ishin drejtuar Odesës, Mykolaivit dhe Vinnytisas gjatë natës së kaluar.

Rumani, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare tha të shtunën se një hyrje e paautorizuar në hapësirën ajrore të vendit mund të ketë ndodhur gjatë natës së kaluar gjatë luftimeve në Ukrainë, pranë kufirit me Rumaninë.

Lajme të ngjashme