Putini e paralajmëron Perëndimin: Rusia është gati për luftë bërthamore
Presidenti rus, Vladimir Putin, e paralajmëroi Perëndimin të mërkurën se Rusia është teknikisht e gatshme për luftë bërthamore dhe se nëse ShBA-ja dërgon trupa në Ukrainë, ky veprim do të konsiderohej eskalim i rëndësishëm i konfliktit.
Duke folur vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars dhe që pritet t’ia japin edhe gjashtë vjet në pushtet, Putini tha se skenari i një lufte bërthamore nuk është “në nxitim” dhe se ai nuk sheh nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.
“Nga një këndvështrim ushtarako-teknik, ne jemi, natyrisht, të gatshëm” – tha presidenti 71-vjeçar në televizionin “Rossiya-1” dhe për agjencinë ruse të lajmeve, RIA, si përgjigje ndaj pyetjes nëse vendi është vërtet i gatshëm për një luftë bërthamore.
Kreu i Kremlinit tha se ShBA-ja kupton që nëse dislokon trupa amerikane në territor rus – ose në Ukranë – Rusia do ta trajtonte këtë lëvizje si ndërhyrje.
“(Në ShBA) ka specialistë të mjaftueshëm në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e vetëpërmbajtjes strategjike. Prandaj, nuk mendoj se këtu gjithçka po nxiton drejt tij (ballafaqimit bërthamor), por ne jemi të gatshëm për këtë” – tha Putini.
Paralajmërimi i presidentit rus për konflikt bërthamor erdhi bashkë me një ofertë për bisedime për Ukrainën si pjesë e një përcaktimi të ri të sigurisë evropiane pas Luftës së Ftohtë. ShBA-ja thotë se Putini nuk është i gatshëm për bisedime serioze rreth Ukrainës.
Putini ritheksoi se përdorimi i armëve bërthamore është i shkruar në doktrinën bërthamore të Kremlinit, ku përcaktohen kushtet nën të cilat do të përdoreshin ato: gjerësisht, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë, ose përdorimi i armëve konvencionale kundër Rusisë “kur vetë ekzistenca e shtetit vihet në rrezik”.
“Armët ekzistojnë për t’u përdorur. Ne i kemi parimet tona” – tha presidenti rus.