Putini e miraton doktrinën e re bërthamore të Rusisë - NACIONALE

Putini e miraton doktrinën e re bërthamore të Rusisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të martën e miratoi doktrinën e përditësuar bërthamore të vendit të tij, duke thënë se Moska mund ta shqyrtojë përdorimin e armëve bërthamore, nëse është subjekt i një sulmi me raketa konvencionale që do të mbështetej nga një fuqi bërthamore.

Vendimi për ta ndryshuar doktrinën zyrtare bërthamore të Rusisë është përgjigjja e Kremlinit ndaj një vendimi të raportuar nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën që të hedhë raketa amerikane me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Doktrina e përditësuar, e cila i përvijon rreziqet që do ta bënin udhëheqësinë ruse që të shqyrtonte një sulm bërthamor, thotë se një sulm me raketa konvencionale, dronë ose aeroplanë të tjerë mund të konsiderohet se i plotëson këto kritere.

Në doktrinën e re gjithashtu thuhet se çfarëdo agresioni kundër Rusisë nga një shtet që është anëtar i një koalicioni do të konsiderohej nga Moska si agresion nga tërë koalicioni kundër saj.

Vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale të këtij muaji në ShBA, Putini dha urdhër për ndryshime në doktrinën bërthamore për të thënë se çfarëdo sulmi konvencional ndaj Rusisë, që do të ndihmohej nga një fuqi bërthamore, do të mund të konsiderohej si sulm i përbashkët kundër Rusisë.

Lufta në Ukrainë, që ka nisur në shkurtin e vitit 2022, e ka nxitur ballafaqimin më të ashpër mes Rusisë dhe Perëndimit që nga Kriza Kubane e Raketave e vitit 1962 – që cilësohet si pika më e afërt ndaj një lufte bërthamore mes dy superfuqive të Luftës së Ftohtë.

Lajme të ngjashme