Putini e mbështet planin e Kinës për arritjen e paqes në Ukrainë - NACIONALE

Putini e mbështet planin e Kinës për arritjen e paqes në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një intervistë të publikuar të mërkurën herët tha se e mbështet planin e Kinës për një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë, duke thënë se Pekini i kupton plotësisht shkaktarët e krizës.

Duke folur me agjencinë kineze të lajmeve, “Xinhua”, para vizitës së tij në Pekin javën e ardhshme, kreu i Kremlinit tha se Rusia mbetet e hapur për dialog dhe bisedime për ta zgjidhur konfliktin që ka nisur para më shumë se dy vjetëve, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas presidentit rus, plani dhe “parimet” e mëtejme të Kinës, që u bënë publike muajin e kaluar nga homologu kinez, Xi Jinping, i marrin parasysh faktorët që janë prapa konfliktit.

“Ne jemi pozitivë në vlerësimin tonë për qasjen e Kinës ndaj zgjidhjes së krizës ukrainase. Në Pekin, ata vërtet i kuptojnë shkaqet rrënjësore të saj dhe kuptimin e saj gjeopolitik global” – tha Putini, sipas një transkripti të publikuar në rusishte në uebfaqen e Kremlinit.

Ndërsa parimet shtesë, të paraqitura nga presidenti Jinping në bisedimet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, janë “hapa realistë dhe konstruktiv딓e zhvillojnë idenë e nevojës për ta tejkaluar mendësinë e luftës së ftohtë”, shtoi presidenti rus.

Para më shumë se një viti, Pekini paraqiti një dokument 12-pikësh që përmban parime themelore për t’i dhënë fund luftës, por në të nuk jepen hollësi.

Atë kohë, plani ishte pritur në mënyrë të vakët në Rusi e Ukrainë, ndërsa ShBA-ja kishte thënë se Kina po e paraqiste veten si paqebërëse, por po e pasqyronte “narrativën e rreme” të Rusisë dhe po dështonte që ta dënonte pushtimin e Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, muajin e kaluar propozimin e quajti “plan të arsyeshëm që civilizimi i madh kinez e propozoi për diskutim”.

Në parimet shtesë të Jinpingut bëhet thirrje për “qetësimin” e situatës, paraqiten kushtet për rikthimin e paqes dhe bëhet thirrje për krijimin e stabilitetit dhe minimizimin e ndikimit të konfliktit në ekonominë botërore.

Në anën tjetër, në planin e paqes të paraqitur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëhet thirrje për tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina, rikthimin e kufijve të vitit 1991 dhe vendosjen e Rusisë para drejtësisë për veprimet e saj.

Një samit i paqes planifikohet që të mbahet në Zvicër në qershor, por Rusia nuk është ftuar për të marrë pjesë dhe e ka cilësuar këtë nismë si të pakuptimtë, duke thënë se në bisedime duhet të merren parasysh “realitetet e reja”.

Kina ka marrë pjesë në disa bisedime përgatitore për këtë samit dhe Ukraina ka bërë përpjekje të mëdha për ta bindur Pekinin që të marrë pjesë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme