Putini do ta vizitojë Kinën, me gjasë në maj - NACIONALE

Putini do ta vizitojë Kinën, me gjasë në maj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të udhëtojë në Kinë në maj për bisedime me homologun kinez, Xi Jinping, në atë që mund të jetë udhëtimi i parë jashtë vendit i kreut të Kremlinit në mandatin e ri presidencial, sipas pesë burimeve të afërta me këtë çështje.

“Putini do ta vizitojë Kinën” i tha agjencisë “Reuters” njëri nga burimet, që foli në kushte anonimiteti. Hollësitë u konfirmuan në mënyrë të pavarur nga katër burime të tjera, të cilat gjithashtu folën në kushte anonimiteti.

Njëri nga burimet tha se udhëtimi i Putinit në Kinë ndoshta do të ndodhë në pjesën e dytë të majit. Dy burime thanë se vizita e Putinit në Kinë do të zhvillohet para vizitës së planifikuar të presidentit kinez në Evropë.

Kur u pyet për raportimin e agjencisë “Reuters”, Kremlini tha se informatat për vizitat e Putinit do të publikohen më afër datave të ngjarjeve.

“Disa vizita presidenciale dhe disa kontakte të nivelit të lartë janë duke u përgatitur për momentin. Ne do t’ju informojmë përderisa u afrohemi atyre” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kina dhe Rusia kishin shpallur bashkëpunim “pa kufij” në shkurt të vitit 2022, kur Putini e kishte vizituar Pekinin vetëm disa ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, duke e nxitur luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putini dhe Jinpingu ndajnë pikëpamje të gjerë për botën, sipas së cilës Perëndimi shihet si dekadent dhe në rënie, përderisa Kina po e sfidon supremacinë e ShBA-së në shumë fusha.

Lajme të ngjashme