Putin-Macronit: Perëndimi duhet të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Perëndimi mund të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë duke ushtruar më shumë presion mbi presidentin Volodymyr Zelensky dhe duke ndaluar dërgesat e armëve për forcat e tij.
Putin zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron.
Është bërë e ditur se lidri francez i ka bërë edhe një herë thirrje Putinit për një armëpushim dhe për bisedime për t’i dhënë fund luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.
Macron po ashtu i ka kërkuar Putinit të lejojë evakuimet e mëtejshme në qytetin e Mariupolit.
Shtetet perëndimore e kanë armatosur gjerësisht Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe të martën Mbretëria e Bashkuar njoftoi një zotim të mëtejshëm për dërgim të pajisjeve ushtarake me vlerë 376 milionë dollar, duke përfshirë pajisje elektronike të luftës - një sistem radar, bllokues GPS dhe pajisje për shikim natën.
Mijëra njerëz, luftëtarë dhe civilë, janë vrarë ose plagosur që nga pushtimi më 24 shkurt dhe më shumë se 5.5 milionë janë larguar jashtë vendit si refugjatë.
Forcat ruse janë tërhequr nga rajoni i kryeqytetit Kiev për të fokusuar operacionet e tyre në Ukrainën lindore.
Sipas BBC-së, duke bërë thirrje për ndalimin e furnizimeve me armë, Putini ka akuzuar forcat ukrainase për kryerjen e krimeve të luftës duke bombarduar qytete në Ukrainën lindore ku separatistët e mbështetur nga Moska kontrollojnë zona të mëdha, sipas një deklarate të Kremlinit.
Një numër sulmesh në zonat e banuara janë regjistruar në zonat e kontrolluara nga separatistët që nga fillimi i pushtimit, por asgjë në shkallën e granatimeve të qyteteve të kontrolluara nga qeveria nga forcat ruse. Ndërsa, Ukraina mohon bombardimin e zonave të banuara.
Udhëheqësi rus ka këmbëngulur edhe një herë se Rusia ishte e hapur për dialog me Ukrainën.
Sipas një deklarate të Pallatit Élysée, Macron i bëri thirrje Putinit t'i jepte fund "luftës së agresionit" të Rusisë dhe tha se ishte i gatshëm të ndihmonte në arritjen e një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit që respektonte sovranitetin e Ukrainës.
Presidenti francez, i cili fitoi rizgjedhjen muajin e kaluar, ka folur me Putinin disa herë që nga pushtimi rus i Ukrainës.
Ai tha se ishte në dispozicion për të punuar me "organizatat kompetente ndërkombëtare" për të ndihmuar në heqjen e bllokadës së Rusisë ndaj porteve të Detit të Zi të Ukrainës, në mënyrë që ajo të mund të rifillonte eksportet e ushqimit.