Pse po humb Rusia kaq shumë tanke në Ukrainë?
Brenda dy muajve të pushtimit të Ukrainës, mendohet se Rusia ka humbur qindra tanke.
Ekspertët ushtarakë thanë për BBC-në, se kjo humbje u shkaktua për shkak të armëve të avancuara antitank që vendet perëndimore i kanë dhënë Ukrainës dhe për mënyrën e dobët të përdorimit të tankeve të Rusisë.
Sa të mëdha janë humbjet e tankeve të Rusisë?
Forcat e armatosura të Ukrainës thonë se Rusia ka humbur më shumë se 680 tanke.
Ndërkohë, Oryx - një blog ushtarak dhe i inteligjencës që numëron humbjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë në bazë të fotografive të dërguara nga zona e luftës, thotë se Rusia ka humbur më shumë se 460 tanke dhe mbi 2000 automjete të tjera të blinduara.
Sipas Korporatës Rand dhe IISS, në fillim të konfliktit Rusia kishte rreth 2700 tanke kryesore luftarake.

Sa efektive kanë qenë armët antitank?
Ukraina u furnizua nga ShBA me 2000 raketa antitank Javelin në fillim të luftës dhe që atëherë ka pranuar të paktën edhe 2000 të tjera.
Edhe pse shumë tanke ruse janë të pajisura me forca të blinduara reaktive që e absorbojnë ndikimin e raketave - Javelins janë të pajisura me dy koka luftarake, ku njëra nga to godet armaturën reaktive të tankut dhe e dyta shpon shasinë poshtë.
Edhe Mbretëria e Bashkuar ka dërguar në Ukrainë të paktën 3,600 raketa NLAW, të cilat janë krijuar për të shpërthyer ndërsa kalojnë mbi pjesën e sipërme të tankut që është relativisht të ekspozuar.

"Javelin dhe NLAW janë shumë të fuqishme," tha Nick Reynolds, analist kërkimor në luftën tokësore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuar (RUSI). "Pa këto ndihma të raketave vdekjeprurëse, situata në Ukrainë do të ishte shumë ndryshe."
Ndërkohë, është njoftuar se ShBA po e furnizon Ukrainën me 100 dronë antitank SWitchblade - të njohur si dronë "kamikaz", ata mund të fluturojnë mbi një objektiv milje larg operatorit dhe më pas të bien mbi një tank, duke e shkatërruar atë në majë.
Sa duhet të fajësohen taktikat ruse për humbjet?
Në ditët e sotme, ushtria ruse operon përmes Grupeve Taktike të Batalionit (BTG), “të cilat janë njësi luftarake të pavarura të përbëra nga tanket, këmbësoria dhe artileria."
Përbërja e saktë e këtyre njësive mund të ndryshojë, por në përgjithësi ato përfshijnë një numër të madh mjetesh të blinduara, por më pak trupa këmbësorie.
"Rusia ka relativisht pak trupa këmbësore," tha Phillips O'Brien, një profesor i studimeve strategjike në Universitetin St Andrews, "kështu që BTG-të janë një mënyrë për të krijuar një njësi luftarake me shumë gjuajtje. Ata janë krijuar për të sulmuar shpejt dhe me shumë armë zjarri. Megjithatë, kanë shumë pak mbrojtje për sa i përket personelit të këmbësorisë për t'i shoqëruar dhe për t'u hakmarrë nëse kolona e blinduar sulmohet," tha ai duke shtuar se kjo e bënë ushtrinë ruse si një boksier.
"Kjo e bën ushtrinë ruse si një boksier, i cili ka një grusht të madh të djathtë dhe një nofull nga xhami."

Pjesa e sipërme e tankut rus është pjesa më pak e mbrojtur dhe pikërisht zona që synohet nga raketat moderne
Profesor O'Brien thotë se mungesa e patrullave ajrore ruse do të thotë se trupat ukrainase e kanë pasur të lehtë të futen në pozicione për të zënë në pritë kolonat e tankeve ruse.
"Rusia nuk mori epërsinë ajrore në fillim të konfliktit dhe kështu ata nuk mund të patrullojnë qiellin, duke parë lëvizjet e ushtrisë ukrainase. Kjo do të thotë se trupat ukrainase kanë qenë në gjendje të futen në pozicione të mira për prita, dhe ata kanë qenë në gjendje të bëjnë shumë dëme në këtë mënyrë."
Sa ka të bëjë humbja me paaftësinë ruse?
Sipas shifrave të Oryx, gjysma e tankeve që Rusia ka humbur nuk janë shkatërruar apo dëmtuar nga armiku, por janë kapur ose braktisur.
Ekspertët për këtë humbje fajsojnë dështimet logjistike dhe paaftësinë e trupave ruse.
"Ju keni parë foto të tankeve ruse që tërhiqen zvarrë nga traktorët e fermerëve ukrainas," tha O'Brien.
"Disa nga ato tanke u braktisën sepse u mbaroi karburanti. Ky është një dështim logjistik. Disa u mbërthyen në baltën e pranverës, sepse komanda e lartë ka pushtuar në kohën e gabuar të vitit”.

"Forcat tokësore të Rusisë përbëhen nga shumë rekrutë. Në terma botërorë, kjo e bënë atë një forcë luftarake me cilësi të ulët deri në mesatare," tha Nick Reynolds nga RUSI.
"Shumë tanke janë braktisur për shkak të drejtimit të keq. Disa kanë rënë nga urat, të tjera janë futur në kanale në mënyrë që të shkëpusin gjurmët. Aftësia e trupave për t’i përdorur pajisjet e tyre ka munguar. Por ka raste të shpeshta që ushtarët thjesht kanë braktisur tanket dhe kanë ikur, do të thotë që ka munguar edhe dëshira për të luftuar.” Madje për raste të tilla, qeveria ukrainase ka lëshuar edhe udhëzime për qytetarët e saj se si duhet ti dorëzojnë tanket e braktisura nga rusët.