Pse egjiptianëve po u kërkohet të hanë këmbë të pulës? - NACIONALE

Pse egjiptianëve po u kërkohet të hanë këmbë të pulës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Egjipti po përballet me një krizë të thellë ekonomike, një situatë aq e rëndë, sa që qytetarët po luftojnë për të ushqyer familjet e tyre. Këshilla më e fundit nga qeveria ishte gatimi i këmbëve të pulës - një pjesë e zogut që zakonisht rezervohet si mbetje për qentë dhe macet. Ky rekomandim ka ngjallur zemërim dhe ka intensifikuar kritikat ndaj qeverisë, raporton “BBC”.

Shumë vende po luftojnë me inflacionin që është në rritje, por me 30% në muajin mars, Egjipti është një nga shtetet që po vuan më së shumti. Për shumë njerëz, artikujt bazë, si vaji i gatimit dhe djathi janë bërë të papërballueshme. Disa produkte tjera janë dyfishuar dhe trefishuar në çmim brenda pak muajve.

"Unë ha mish një herë në muaj, ose nuk blej fare. Blej pulë një herë në javë," thotë Wedad, një nënë e tre fëmijëve rreth të gjashtëdhjetave, teksa kalon nëpër treg. "Në ditët e sotme, edhe një vezë shitet për LE5 (0.15€).

Një pjesë e arsyes pse Egjipti gjindet në këtë krizë është se mbështetet shumë në ushqimin e importuar dhe jo në bujqësinë vendase për të ushqyer popullin prej mbi 100 milionë banorësh. Madje edhe drithi për të ushqyer pulat importohet.

Një vit më parë, Wedad jetonte rehat me pensionin e saj mujor prej 5,000 LE(152€). Ajo e përshkruante veten si pjesë të klasës së mesme. Tani, si shumë egjiptianë të tjerë, ajo po lufton për mbijetesë. Sot, ajo ka grumbulluar para vetëm sa për të blerë një pulë. "Një shitës më tha se çmimi për një kilogram fileto pule është 160 LE(4.88€),” thotë Wedad, teksa bënte pazar përreth. “Këmbët e pulës janë 90 LE(2.75€), por edhe kockat e pulës shiten tani – dhe këmbët kushtojnë vetëm 20 LE(0.61€)”, shton ajo me një të qeshur ironike.

Presidenti Adbdul Fattah al-Sisi shpeshherë fajëson rritjen e shpejtë të popullsisë dhe trazirat e vitit 2011 që pasuan me kryengritjen egjiptiane për problemet aktuale ekonomike të vendit të tij. Ai gjithashtu tregon për pandeminë dhe luftën në Ukrainë. Pushtimi rus i Ukrainës në mars të vitit të kaluar i dha një goditje të rëndë ekonomisë egjiptiane. Egjipti është importuesi i dytë më i madh në botë i grurit dhe të dy vendet, Rusia dhe Ukraina, ishin furnizuesit kryesorë të tij. Kur lufta ndërpreu eksportet, çmimi i grurit - dhe rrjedhimisht i bukës - u rrit.

Nuk duhet harruar që vështirësitë ekonomike të së kaluarës çuan në trazira dhe kontribuan në rënien e dy ish-presidentëve Hosni Mubarak dhe Mohammed Morsi. Dhe tashmë ka shenja se zemërimi në rritje i publikut mbi gjendjen ekonomike do të shkaktojë sërish trazira.

"Nuk mund t'ju them se si neve grave na vjen keq për ditën e zezë që shkuam për të votuar për ju," iu drejtua një amvise egjiptiane presidentit Sisi në një video në rrjetet sociale që u bë virale. "Ti na e ke bërë jetën ferr."

Lajme të ngjashme