Pse disa shtete po festojnë për taksat e reja të Trumpit? - NACIONALE

Pse disa shtete po festojnë për taksat e reja të Trumpit?

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtete të ndryshme përreth botës u zgjuan të premten me lajmin e një realiteti të ri ekonomik, duke u ballafaquar me taksa të reja amerikane ndaj eksporteve të tyre.

Përderisa shumica e vendeve do të ballafaqohen me taksa më të larta, disa po ndiejnë lehtësim, pasi siguruan marrëveshje të minutës së fundit. Taksat ndaj Kamboxhias, Vietnamit, Indonezisë, Malajzisë e Tajlandës janë ulur për një nivel domethënës në 19 deri në 20 për qind nga shifrat e propozuara fillestare, raporton televizioni CNN.

Malajzia, e cila po përballej me mundësinë për taksë amerikane prej 24 për qind ndaj mallrave të saj, arriti që të negocionte një marrëveshje për uljen e saj në 19 për qind. Ministria e Tregtisë e cilësoi këtë si “arritje të konsiderueshme”.

Shteti ishullor i Azisë Juglindore tha se marrëveshja e arritur nuk bën kompromis me sovranitetin e vendit, duke thënë në një deklaratë se “qëndroi i vendosur për produkte të ndryshme të vijave të kuqe” gjatë “procesit të plotë dhe metodik negociues”.

Kamboxhia, e cila e arriti marrëveshjen e saj tregtare me Uashingtonin të enjten, tani ka taksë prej 19 për qind nga ShBA-ja, pasi fillimisht rrezikohej nga një tarifë shumë më e lartë – 49 për qind.

Kryeministri i këtij vendi, Hun Manet, të premten tha se ky ishte “një lajm i mirë për popullin dhe ekonominë e Kamboxhias”.

Në urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, nuk u kursyen as disa shtete ballkanike. Mallrat nga Serbia do të ngarkohen me taksë prej 35 për qind, ato të Bosnjës 30 për qind, ndërsa të Maqedonisë së Veriut 15 për qind.

Pa taksë nuk shpëtoi as aleati i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, Izraeli, mallrat e të cilit do të taksohen sa ato të Maqedonisë së Veriut./Nacionale

Lajme të ngjashme