Protestuesi iranian i arrestuar të enjten mund të ekzekutohet nesër nga shteti
Po qarkullojnë raportime se njëri nga mijëra protestuesit e arrestuar javën e kaluar në Iran, Erfan Soltani, është duke u ballafaquar me ekzekutim, pasi u gjykua, u shpall fajtor dhe u dënua brenda një kohe të shkurtër, nga arretimi i tij të enjten.
Burri 26-vjeçar u arrestua në Karaj, qytet që ndodhet në periferinë veriperëndimore të Teheranit, në kulmin e protestave, pak para ndërprerjes së internetit, shkruan gazeta “The Guardian”.
Shërbimi i BBC-së në gjuhën perse ka biseduar me njërin nga të afërmit që tha: “Brenda vetëm dy ditëve, gykata lëshoi një dënim me vdekje dhe familjes iu tha se ai pritet të ekzekutohet të mërkurën.”
Grupi i njohur ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, e ka vënë në pah rastin e tij, duke i përmendur shqetësimet se autoritetet iraniane “edhe një herë mund t’i zgjedhin gjykimet e shpejta dhe ekzekutimet arbitrare për ta shtypur dhe për ta frenuar pakënaqësinë”.
Agjencia e lajmeve AFP raporton se prokurorët iranianë thanë të martën që do të ngrenë akuza ndaj disa protestuesve, ku përfshihen shkelje që dënohen me vdekje.
Irani është shteti i dytë në botë sa i përket numrit të të dënuarve që i ekzekuton, pas Kinës. Vitin e kaluar, sipas një grupi me bazë në Norvegji, Irani ekzekutoi me varje të paktën 1.500 njerëz.