Protesta në mbështetje të flotës së Gazës në Zvicër, lëndohen pesë policë
Policia zvicerane tha të premten se pesë pjesëtarë të saj u lënduan gjatë përleshjeve në Gjenevë, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve që po marshonin në mbështetje të flotës së anijeve që ishin nisur drejt Gazës, por që u penguan dhe u ndaluan nga Izraeli.
Protesta që fillimisht ishte paqësore dhe ku po merrnin pjesë rreth 3.000 njerëz, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut në qytet, u përshkallëzua të enjten natën, kur protestuesit iu afruan një ure, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Konfrontimet e tilla janë të rralla në Zvicër, edhe pse protestat pro Gazës kanë qenë duke fituar momentum.
Pengimi i anijeve nga Izraeli nxiti protesta në Gjenevë, Cyrih dhe Bern, por edhe jashtë Zvicrës – në Itali dhe Kolumbi.
Në pamje nga protesta në Gjenevë shihej uji duke u hedhur në drejtim të protestuesve, fishekzjarrë në turmën e protestuesve dhe policia kundër trazirave duke i larguar protestuesit.
Polica tha në një deklaratë të premten se një person ishte arrestuar dhe hetimet po vazhdonin pas lëndimit të pesë policëve.
Një zëdhënës i policisë tha të enjten se gazi lotsjellës dhe topat e ujit ishin të nevojshëm për t’i kontrolluar protestat dhe se protestuesit po hidhnin objekte dhe po u shkaktonin dëme pronave.
Izraeli këtë javë bllokoi rreth 40 anije të flotës së nisur drejt Gazës në përpjekje për ta thyer bllokadën detare izraelite dhe për të dërguar ndihma në enklavën palestineze.
Me këto anije po lundronin më shumë se 450 aktivistë, përfshirë disa shtetas zviceranë dhe aktivisten e njohur suedeze, Greta Thunberg./Nacionale