Protesta në Gjermani, kërkohet përgjigje për vdekjen e një personi gjatë konfrontimit me policinë - NACIONALE

Protesta në Gjermani, kërkohet përgjigje për vdekjen e një personi gjatë konfrontimit me policinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra protestues u mblodhën në dy qytete në Gjermaninë perëndimore të martën, pasi një burrë vdiq gjatë një operacioni policor.

Sipas Deutche Welle, shkaku i vdekjes së 47-vjeçarit të hënën nuk dihet ende dhe njerëzit dolën në rrugët e Mannheim dhe Heidelberg për të kërkuar përgjigje.

Prokuroria publike e Manheimit po heton dy oficerë policie për lëndime të mundshme trupore gjatë kryerjes së detyrës që rezultuan me vdekjen e 47-vjeçarit.

Vdekja e burrit pas një operacioni policor në Mannheim, ka ngritur dyshime të mëdha, ndërkohë që sektori shtetëror i hetimit penal premtoi sqarime, pasi pritet edhe autopsia e trupit të pajetë të burrit.

Në vendin ku ai kishte vdekur, protestuesit vendosën lule, qirinjë dhe tabela.

Refuzimi për të bashkëpunuar shkaktoi konfrontim me policinë

Sipas një deklarate nga autoritetet, policia e ndaloi burrin në Mannheim qendror pasi u informua se një pacient nga instituti i shëndetit mendor të qytetit ishte larguar nga objekti dhe kishte nevojë për ndihmë.

Zyra e Hetimit Penal të Shtetit të Baden-Württemberg (LKA) dhe zyra e prokurorit publik në Manheim thanë se burri refuzoi të bashkëpunonte me oficerët përpara se të konfrontoheshin me të.

LKA tha se oficerët vendosën përdorimin e forcës, por nuk dhanë detaje të mëtejshme. Ata treguan se fillimisht burri u rrëzua në tokë dhe më pas u ngrit, por megjithatë ai vdiq më vonë në spital.

Në videot e shpërndara në internet, duket një oficer që e godiste burrin në kokë gjatë konfrontimit.

Autopsia është caktuar për të mërkurën dhe rezultatet pritet të dalin deri në fund të javës.

Lajme të ngjashme