Propozohet në OKB lejimi i përdorimit të forcës për mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit
Bahrejni ka paraqitur një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të cilën shtetet do të autorizoheshin që t’i përdornin “të gjitha mjetet e nevojshme” – shprehje diplomatike për forcën – për ta mbrojtur lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit dhe përreth saj, sipas një teksti që e pa agjencia “Reuters” të hënën.
Diplomatët thanë se drafti u mbështet nga shtetet e tjera arabe të Gjirit Persik dhe Shtetet e Bashkuara, edhe pse shtuan se kishte pak gjasa që rezoluta të miratohej.
Kjo nismë e nënvizon shqetësimin në rritje në rajon se Irani mund të vazhdojë që ta rrezikojë Ngushticën e Hormuzit, zonë strategjike nëpër të cilën kalon një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe që shërben si shtyllë e ekonomive të Gjirit Persik.
Në këtë draft-rezolutë, veprimet e Iranit cilësohen kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Rezoluta do t’i autorizonte shtetet, duke vepruar vetëm ose përmes koalicioneve vullnetare shumëkombëshe detare, që t’i përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” në Ngushticën e Hormuzit dhe përreth saj – përfshirë ujërat territoriale të shteteve që kanë dalje në det – për ta garantuar lundrimin dhe për të parandaluar lëvizje që e bllokojnë ose që ndërhyjnë në lundrimin ndërkombëtar.
Në tekst gjithashtu shprehet gatishmëria për të vendosur masa, përfshirë sanksionet me shënjestër.
Misionet e Bahrejnit dhe Shteteve të Bashkuara në OKB nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në draft “kërkohet që Republika Islamike e Iranit menjëherë t’i ndërpresë të gjitha sulmet kundër anijeve tregtare dhe komerciale dhe cilëndo përpjekje për ta penguar kalimin e ligjshëm transit ose lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe përreth saj”.
Dy diplomat evropianë dhe një diplomat tjetër perëndimor thanë se kishte pak gjasa që një rezolutë e tillë të miratohet në Këshillin e Sigurimit, pasi aleatet e Iranit, Kina e Rusia, me gjasë do ta bllokonin me veto, nëse do të paraqitej nevoja./Nacionale