Propozimi i ShBA-së vetëm “pushim i përkohshëm” për Ukrainën, thotë Yushakovi
Këshilltari i lartë i Kremlinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, ka folur rreth propozimit të Shteteve të Bashkuara për armëpushim 30-ditor në luftën me Ukrainën, duke theksuar disa çështje të palës ruse rreth këtij plani.
Sipas raportimeve të agjencive ruse të lajmeve, “Ria” dhe “Tass”, Ushakovi ka thënë se Rusia kërkon marrëveshje afatgjate që i merr parasysh interesat dhe shqetësimet e saj, raporton gazeta “The Guardian”.
Më tej, Ushakovi citohet të ketë thënë se propozimi për armëpushim nuk është asgjë më shumë se pushim i përkohshëm për forcat ukrainase.
“Askush nuk ka nevojë për hapa që vetëm imitojnë veprime të paqes” në Ukrainë, shtoi këshilltari i Kremlinit.
Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk mund të diskutohet në kontekstin e zgjidhjes së krizës.
Ushakovi tha se Rusia shpreson që Shtetet e Bashkuara do t’i marrin parasysh kërkesat e saj. Ai theksoi se shqetësimet e tij ia ka përçuar edhe negociatorëve amerikanë.