Prodhuesit perëndimorë të veturave “në luftë për jetë” kundër rivalëve kinezë, thotë shefi i Ford-it - NACIONALE

Prodhuesit perëndimorë të veturave “në luftë për jetë” kundër rivalëve kinezë, thotë shefi i Ford-it

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shefi i prodhuesit të njohur të veturave, “Ford”, ka thënë se prodhuesit perëndimorë të automjeteve janë “në luftë për jetën tonë” kundër konkurrencës kineze, përderisa kompania amerikane u pajtua për bashkëpunim të ri me prodhuesin francez, “Renault”.

Dy kompanitë thanë të martën se do të punojnë së bashku rreth veturave të vogla elektrike dhe modeli i parë do të dalë në shitje në vitin 2028. Ato do ta shqyrtojnë edhe prodhimin e përbashkët të minibusëve, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne e dimë se jemi në një luftë për jetët tona në industrinë tonë. Nuk ka shembull më të mirë se këtu në Evropë” – tha shefi ekzekutiv i “Ford”-it, Jim Farley.

Rritja e shpejtë e prodhuesve kinezë të veturave elektrike u ka bërë trysni të madhe rivalëve evropianë e amerikanë, të cilët janë treguar më të ngadalshëm në zhvillimin e automjeteve me bateri. Prodhuesit kinezë si BYD dhe “Chery” kanë zënë vend në treg duke prodhuar vetura elektrike me kosto shumë më të ulët se prodhuesit perëndimorë.

Dy veturat e reja të njoftuara të martën do të mbështeten në planin e veturës elektrike “Renault Ampere”, por do të dizajnohen nga kompania “Ford” dhe do ta bartin brendin amerikan.

Kompanitë thanë se këto dy modele do të prodhohen në fabrikën e prodhuesit “Renault” në Douai në veri të Francës. Atje prodhohet vetura elektrike “Renault 5” që është vlerësuar pozitivisht për dizajnin dhe koston relativisht të ulët.

Prodhuesi “Ford” është ballafaquar me vështirësi në Evropë viteve të fundit. Farley njoftoi për mbylljen e 4.000 vendeve të punës vitin e kaluar, përfshirë 800 në Britani.

Lajme të ngjashme