Prodhuesit e armëve në nevojë për punëtorë, në Çeki do t’u ndërtohen banesa - NACIONALE

Prodhuesit e armëve në nevojë për punëtorë, në Çeki do t’u ndërtohen banesa

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prodhuesit e armëve në vendet e Evropës Qendrore po mundohen që të gjejnë mënyra të reja për ta plotësuar nevojën për punëtorë pas rritjes më të madhe të kërkesës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Duke u ballafaquar me disa prej tregjeve me mungesën më të madhe të punëtorëve në Evropë, prodhuesit e armëve në Poloni e Çeki po nisin ose po zgjerojnë programe për rekrutimin dhe trajnimin e punëtorëve të rinj, pasi lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritje të kërkesës për prodhimet e tyre, raporton agjencia “Reuters”.

Industria e armëve në Evropë Qendrore është duke nxjerrë nga prodhimi pushkë, predha e furnizime të tjera ushtarake në nivelin më të lartë që nga rënia e Murit të Berlinit, pasi kompanitë po e përshpejtojnë prodhimin për ta furnizuar Ukrainën dhe për ta plotësuar kërkesën globale, sepse shtetet po i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Prodhuesi çek i municionit dhe artilerisë, “STV Group”, ka bërë marrëveshje me autoritetet në qytetin më të afërt të fabrikës së tij më të madhe në Policka, rreth 200 kilometra në jug të Pragës, që të ndërtojë banesa të financuara nga kompania për punëtorët e rinj, i tha agjencisë “Reuters” shefi i këtij prodhuesi, David Hac.

Kompania ka nisur edhe që t’u ofrojë shujta falas punëtorëve të pensionuar në mënyrë që ata ta ndajnë dijen e tyre rreth linjave të rinisura për prodhimin e municionit të periudhës sovjetike për Ukrainën, shtoi ai.

“Ky shkëmbim joformal i ideve ka efekte të shkëlqyeshme dhe të menjëhershme në efikasitetin e proceseve të prodhimit, sidomos kur e rinis prodhimin e produkteve që kanë qenë jashtë prodhimit për një kohë të gjatë”- tha Haci.

Çekia dhe Polonia mburren me shkallët e ulëta të papunësisë në Bashkim Evropian, me 2,7 për qind në qershor, dukshëm më pak se mesatarja e BE-së prej 5,9 për qind për periudhën e njëjtë, sipas të dhënave të “Eurostat”-it.

Jiri Hynek, president dhe drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Mbrojtjes dhe Sigurisë në Çeki, i tha agjencisë “Reuters” se mungesa e punëtorëve mund ta çojë prodhimin jashtë Evropës Qendrore. Me punëtorë e material të mjaftueshëm, kompanitë çeke do të mund ta shtonin prodhimin për deri në 20 për qind, vlerësoi ai.

Hyneku shtoi se me rritjen e kërkesës, nevoja për punëtorë të rinj me shkathtësi teknike vetëm sa do të shtohet për industrinë që varet nga inovacioni për ta vazhduar rritjen e saj.

“Kemi popullsi që po plaket, shkencëtarë, zhvillues, inovatorë që po plaken, si dhe (departamente të) shkenca teknike e natyrore që prodhojnë mungesë absolute të njerëzve që mund të shfrytëzohen. Kemi nevojë për rritje, por s’kemi se nga të marrim punëtorë”- tha ai.

Lajme të ngjashme