Probleme për Bidenin: Paralajmërohen greva, jep dorëheqje këshilltarja për punë - NACIONALE

Probleme për Bidenin: Paralajmërohen greva, jep dorëheqje këshilltarja për punë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltarja e lartë për punë e presidentit Joe Biden të ShBA-së, Celeste Drake, ka dhënë dorëheqje, sipas një burimi me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje, duke e lënë administratën me një zyrtar të lartë më pak në përpjekjet për ta ruajtur paqen e punëtorëve dhe për t’i shmangur grevat gjatë vitit zgjedhor.

Drake do të largohet nga Shtëpia e Bardhë për të shërbyer si nëndrejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e cila e ka selinë në Gjenevë të Zvicrës, dhe do ta fillojë punën e re më 14 gusht, sipas burimit, i cili nuk deshi që të identifikohej, raporton agjencia “Reuters”.

Largimi zonjës Drake vjen në një kohë kritike për administratën që po ballafaqohet me një verë të kryengritjes së punëtorëve. Sipas vlerësimit të sindikatave kombëtare të punës, më shumë se 650 mijë punëtorë amerikanë ishin në grevë ose kishin kërcënuar me masë të tillë gjatë gjysmës së parë të vitit.

Aktorët dhe skenaristët e Hollywood-it tash për tash janë në grevë, ndërsa sindikatat e prodhuesve të automjeteve muajin e kaluar paralajmëruan se janë të përgatitur për ta bërë të njëjtën gjë, nëse tre prodhuesit e mëdhenj të Detroitit – “General Motors”, “Ford Motors” dhe “Stellantis” – nuk pajtohen për kontrata të drejta.

Bideni, 80 vjeç, po e lidh përpjekjet për ta fituar mandatin e dytë me shëndetin e ekonomisë, duke i vënë në pah shtimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe lehtësimin e frikës nga recesioni. Çfarëdo greve e madhe, sidomos në lidhjen kyçe në zinxhirin furnizues të industrisë, do të mund ta dëmtonte narrativën e presidentit demokrat.

Në Shtëpinë e Bardhë, Drake i këshillonte Bidenin dhe ekipin e tij për bisedimet e punës që kishin ndikim të drejtpërdrejtë në zinxhirin furnizues të vendit dhe në ekonomi, thanë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Tregu konkurrues i punës, shtimi i rrezikut në vendin e punës gjatë pandemisë, kostoja e lartë e strehimit dhe ushqimit, pengesat në teknologji, skadimi i kontratave ciklike dhe politikave miqësore ndaj sindikatave nga administrata e Bidenit janë duke nxitur një lëvizje të punëtorëve për të drejta në ShBA.

Lajme të ngjashme