Probleme me GPS-në, aeroplani i nisur drejt Austrisë e devijon fluturimin
Një fluturim i kompanisë “Ryanair”, që ishte planifikuar të përfundonte në Vjenë të Austrisë, u desh të devijohej për në Republikën Çeke të hënën vonë për shkak të problemeve me sistemin GPS dhe dukshmërinë e dobët, tha kompania.
Kompania ajrore irlandeze iu përgjigj një raporti të mediave austriake se fluturimi nga Riga e Letonisë ishte devijuar për në qytetin Bërno të Çekisë, pasi sinjali i GPS-së ishte penguar në qiellin e Polonisë për shkak të konfliktit në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Sipas uebfaqes për përcjelljen e fluturimeve, “Flightradar”, bëhej fjalë për një aeroplan të tipit “Airbus A320” që po operonte nën brendin “Lauda”.
Ditëve të fundit kanë ndodhur dy aksidente vdekjeprurëse me aeroplanë – njëri në pjesën qendrore të Azisë e tjetri në pjesën lindore të saj.
Para disa ditëve në Kazakistan u rrëzua një aeroplan i kompanisë “Azerbaijan Airlines”. 38 njerëz vdiqën e 29 të tjerë mbijetuan. Është raportuar se aeroplani u rrëzua nga sistemi rus i mbrojtjes ajrore. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kërkuar falje për rastin, pa thënë se vendi i tij kishte ndonjë faj.
Pak ditë më vonë, 179 njerëz vdiqën e vetëm dy mbijetuan, pasi një aeroplan i kompanisë “Jeju Air” u përplas në një mur të aeroportit në Korenë e Jugut, pa arritur që të ndalej në pistë.