“Pritë e plotë”: Po reagonin për zjarr në natyrë, dy zjarrfikës qëllohen për vdekje në ShBA
Dy zjarrfikës janë qëlluar për vdekje me armë në një komunitet malor në Idaho, shtet në veriperëndim të ShBA-së, përderisa po reagonin për një zjarr në natyrë, thonë zyrtarët.
Një zjarrfikës tjetër u lëndua, kur një i dyshuar hapi zjarr me një pushkë të fuqishme afër qytetit Coeur d’Alene, sipas zyrës së policisë lokale në distriktin Kootenai, raporton televizioni BBC.
Pjesëtarët e njësisë speciale SWAT më vonë “lokalizuan një mashkull të vdekur” afër vendit ku ndodhi sulmi në malin Canfield dhe e shfuqizuan urdhrin për t’u strehuar në vend. Megjithatë, banorët u paralajmëruan se një zjarr aktiv në natyrë ende po vazhdonte në mal.
I dyshuari besohet se e kishte nisur zjarrin qëllimisht si mënyrë për t’i zënë në pritë ekipet emergjente, sipas komandantit të policisë lokale, Robert Norris.
Sipas policisë, burri i vdekur u gjet afër një arme zjarri pas ballafaqimit që zgjati me orë dhe në të cilin u përfshinë të shtënat nga policia.
🚨 BREAKING: Firefighters AMBUSHED and SHOT while battling a brush fire in Coeur d’Alene, Idaho.
— International Observer (@ObserveIntel) June 30, 2025
What kind of monster attacks first responders?! 💔
Pray for heroes. 🙏🏻#Idaho pic.twitter.com/dlI3YemTKf
Policia ende është duke e pritur identifikimin zyrtar dhe nuk tha asgjë për të kaluarën e tij. Autoritetet nuk kanë konfirmuar se si ka vdekur burri ose çfarë arme zjarri është gjetur.
Zjarrfikësit e vrarë nuk u identifikuan menjëherë. Zyrtarët thanë se viktimat do të nderohen me një autokolonë të automjeteve zyrtare në funeralin që do të mbahet në qytetin Spokane.
Komandanti i policisë lokale tha se, sipas hetimit fillestar, në rast ishte i përfshirë vetëm një sulmues, pasi fillimisht kishte thënë se mund të kishin qenë deri në katër të tillë.
Sulmuesi u gjet, pasi një sinjal i telefonit celular e zbuloi vendndodhjen e tij, tha zyrtari policor, duke shtuar se sulmuesi dukej se kishte vrapuar dhe kishte shtënë dhe se pritet të gjenden dëshmi përreth tërë malit dhe se ai mund të ketë fshehur armë në vende të ndryshme.
“Kjo ishte një pritë e plotë. Këta zjarrfikës nuk kishin asnjë gjasë” – tha komandanti i policisë./Nacionale