Prit e përcjell: Kryeministrat britanikë ndërrohen, por jo edhe “shefi” për minj në Qeveri
Ka qenë një figurë e stabilitetit në 14 vitet e kaluara me trazira politike në Britani – maçoku i Qeverisë, Larry.
Pas zgjedhjeve të 4 korrikut, kafsha që po plaket mund të dalë para derës me numër 10 dhe ta presë kryeministrin e gjashtë. Pesë të tjerë i ka pritur e i ka përcjellë.
Mbase maçoku nuk do të mërzitet për largimin e shefit të vjetër të Qeverisë. Sipas bashkëshortes së kryeministrit të deritashëm, Rishi Sunak, Larry kishte “ballafaqime të tensionuara” me qenin e tyre, por maçoku gjithnjë kishte triumfuar.
Kryeministri i ri, Keir Starmer, tha rishtazi në televizionin BBC se familja e tij mban një mace të quajtur Jojo, të cilën fëmijët e tij e llastojnë, raporton NDTV.
Familja gjithashtu ka një brejtës, por nuk është e qartë nëse këto dy kafshë do të vendosen në ndërtesën zyrtare.
Maçoku Larry e ka mbrojtur rreptë territorin e tij, duke luftuar shpesh për të qenë kryesori kundër maçokut Palmerston në Ministrinë e Jashtme, i cili tashmë është “pensionuar” dhe ka shkuar në fshat.
Larry është kujdesur që të mos i lejojë dhelprat dhe pëllumbat që t’i afrohen ndërtesës së Qeverisë./Nacionale