Presidentja e Meksikës thotë se në bisedën me Trumpin e përjashtoi ndërhyrjen ushtarake - NACIONALE

Presidentja e Meksikës thotë se në bisedën me Trumpin e përjashtoi ndërhyrjen ushtarake

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, thotë se ajo përjashtoi një ndërhyrje ushtarake amerikane për luftimin e karteleve të drogës në vendin e saj, pas një “bisede të mirë” të hënën me homologun nga ShBA-ja, Donald Trump, rreth sigurisë dhe trafikimit të drogës.

Në konferencën e saj të përditshme për gazetarë, zonja Sheinbaum tha se i refuzoi ofertat për veprime ushtarake nga Trumpi dhe “e përjashtoi” ndërhyrjen ushtarake amerikane në Meksikë. Ajo shtoi se do të kërkonte një telefonatë tjetër, nëse Shtetet e Bashkuara lëshojnë deklarata të kundërta, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë brenda kornizës së sovranitetit tonë… Ne kërkojmë bashkërendim pa nënshkrim” – tha presidentja meksikane.

Më herët të hënën, ajo tha në rrjetin X se me homologun amerikan kishte diskutuar për sigurinë në raport me sovranitetin e Meksikës, luftimin e trafikimit të drogës, si dhe tregtinë e investimet.

Në anën tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha javën e kaluar në një television amerikan se kartelet janë duke e udhëhequr Meksikën dhe la të kuptohej se ShBA-ja mund të sulmojë caqe tokësore për t’i luftuar këto grupe.

Komentet e tij ishin më të rejat në një varg kërcënimesh të përshkallëzuara për dislokimin e forcave ushtarake amerikane kundër karteleve të drogës në territorin meksikan.

Të dielën, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, bisedoi me ministrin e Jashtëm të Meksikës, Juan Ramon de la Fuente, për nevojën për bashkëpunim më të fortë për shkatërrimin e rrjeteve të dhunshme narko-terroriste dhe për ndërprerjen e trafikimit të fentanilit dhe armëve, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

Zonja Sheinbaum tha në konferencën e saj për media se trafikimi i fentanilit nga Meksika në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar shënoi rënie për rreth 50 për qind.

Ajo gjithashtu tha se me Trumpin nuk kishte diskutuar për Kubën, për të cilën presidenti amerikan tha më herët se nuk do të merrte më naftë ose para nga Venezuela, pas kapjes së presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, në fillim të janarit nga forcat amerikane./Nacionale

Lajme të ngjashme