Presidenti Sisi i Egjiptit e fal aktivistin britaniko-egjiptian, Alaa Abd El-Fattah - NACIONALE

Presidenti Sisi i Egjiptit e fal aktivistin britaniko-egjiptian, Alaa Abd El-Fattah

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, e ka falur aktivistin britaniko-egjiptian të profilit të lartë, Alaa Abd el-Fattah, pas burgosjes së gjatë dhe disa grevave të urisë që kishin nxitur thirrje ndërkombëtare për lirimin e tij, raportoi të hënën mediumi “Al Qahera”.

Abd el-Fattah, 43 vjeç, u bë i burgosuri politik më i dalluar në Egjipt pas kalimit të një pjese të madhe të jetës brenda e jashtë burgut për shkak të aktivizmit të tij si dhe një simbol i rrallë i opozitarizmit ndaj shtypjes së gjerë nën pushtetin e Sisit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pavarësisht nga fushatat e shumta lokale e ndërkombëtare në thirrje për lirimin e tij, më e dalluara gjatë samitit të klimës COP27 të organizuar në Egjipt në vitin 2022, kjo mundësi u bë e prekshme vetëm kur Sisi i urdhëroi autoritetet përkatëse në shtator që ta analizonin faljen e mundshme të tij. Emri i Abd el-Fattahut ishte larguar nga lista e “terrorizmit” e Egjiptit disa muaj më parë.

Abd el-Fattah, i cili e kishte fituar shtetësinë britanike nga nëna e tij më 2021, vjen nga një familje e aktivistëve dhe intelektualëve të njohur, të cilët kishin nisur shumë fushata për të bërë thirrje për lirimin e tij. Nëna e tij, Laila Soueif, u takua më herët këtë vit me kryeministrin britanik, Keir Starmer, për të lobuar për lirimin e të birit.

Ish-blogeri ishte ndaluar edhe para kryengritjes së Pranverës Arabe, me të cilën ishte rrëzuar autokrati Hosni Mubarak më 2011, edhe pas trazirave që kishin pasuar. Sidoqoftë, ishte kritika e tij ndaj shtypjes së disidentëve pas ardhjes në pushtet të Sisit që ia solli burgosjen më të gjatë.

Në vitin 2014, Abd el-Fattah u dënua me 15 vjet burgim për protestim pa leje. Ky dënim më vonë i ishte shkurtuar në pesë vjet prapa grilave.

Ai ishte liruar në vitin 2019, por ishte mbajtur në lirim me kusht dhe ishte arrestuar përsëri një vit më pas, i akuzuar për lajm të rremë, pasi kishte shpërndarë një postim në rrjete sociale për vdekjen e një të burgosuri. Aktivisti më pas ishte dënuar me pesë vjet të tjera burgim./Nacionale

Lajme të ngjashme