Presidenti i Sirisë e anulon pjesëmarrjen në samitin arab në Irak, përmendet një arsye - NACIONALE

Presidenti i Sirisë e anulon pjesëmarrjen në samitin arab në Irak, përmendet një arsye

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, nuk do të marrë pjesë në një samit të Ligës Arabe në Irak këtë javë. Delegacioni sirian do të drejtohet nga ministri i Punëve të Jashtme, tha të martën zyra presidenciale siriane.

Në një deklaratë të shkurtër, e lëshuar nga zyra e presidentit Al-Sharaa, nuk u tregua ndonjë arsye se pse ai nuk do të marrë pjesë në këtë samit, por ftesa nga Qeveria e Irakut muajin e kaluar kishte nxitur përçarje të thella politike në atë shtet. Samiti pritet të mbahet të shtunën në Bagdad, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, samiti pritet të jetë i përqendruar rreth rindërtimit të Gazës dhe çështjes palestineze.

Al-Sharaa ka luftuar me al-Qaedan në Irak pas pushtimit të udhëhequr nga ShBA-ja më 2003. Ai ishte burgosur në Irak për më shumë se pesë vjet, pastaj ishte liruar më 2011 për shkak të mungesës së provave, sipas një zyrtari të lartë irakian të sigurisë.

Më pas e kishte hapur degën e al-Qaedas në Siri, por ishte ndarë nga grupi më 2016 për ta themeluar grupin Hayat Tahrir al-Sham, me të cilin e rrëzoi nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad.

Kryeministri irakian e ftoi Al-Sharaan në samit muajin e kaluar, duke nxitur kritika nga grupet kryesisht shiite, të cilat e akuzojnë Al-Sharaan për orkestrimin e sulmeve kundër shiitëve gjatë viteve të tij në Irak.

Të paktën 57 deputetë shiitë në Kuvendin me 329 ulëse kërkuan nga Qeveria që t’ia ndalonte Al-Sharaas pjesëmarrjen në samit, sipas një kopjeje të kërkesës që e pa agjencia “Reuters”. Qarkulluan edhe thashetheme se ai mund të përballej me urdhërarrest, por autoritetet irakiane mohuan një gjë të tillë.

Al-Sharaa dhe qeveria e tij e përkohshme në Siri janë përpjekur që të ndërtojnë marrëdhënie me shtetet e Lindjes së Mesme në përpjekje për ta lehtësuar skepticizmin rreth ish-lidhjeve të tij me grupin al-Qaeda dhe për ta bindur Uashingtonin që t’i heqë sanksionet e ashpra ekonomike ndaj vendit të rrënuar nga lufta civile.

Pjesëmarrja në samitin arab do të kishte qenë një fitore e rëndësishme diplomatike e simbolike për Damaskun, kur Al-Sharaa po mundohet t’i trajtojë kundërshtarët në vend, kryesisht nga grupet pakicë josunite, përderisa bën përpjekje që ta shtrijë autoritetin shtetëror në mbarë vendin./Nacionale

Lajme të ngjashme