Presidenti i shtetit të zhvilluar po ushtron golf për takimet e ardhshme me Trumpin
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka filluar rishtazi që ta praktikojë golfin, për herë të parë në tetë vjet, si përgatitje për takimet në të ardhmen me homologun e ri amerikan, Donald Trump, konfirmoi të martën zyra e koreanit.
Mediat në Korenë e Jugut thanë se presidenti Yoon vizitoi një fushë të golfit të shtunën për një sport që zyra e tij ka thënë se për herë të fundit është praktikuar nga ai në vitin 2016, raporton agjencia “Reuters”.
“Shumë njerëz të afërt me presidentin Trump… [më thanë] se presidenti Yoon dhe Trumpi do të kenë një kimi të mirë” – tha të enjten koreani Yoon në një konferencë për gazetarë, pasi e uroi Trumpin përmes telefonit për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në ShBA javën e kaluar.
Ish-zyrtarë të administratës së Trumpit dhe republikanë me ndikim kanë shprehur gatishmëri për ta ndihmuar ndërtimin e lidhjeve me presidentin në ardhje, shtoi ai.
Analistët thonë se presidenti Yoon mund të synojë që ta kapitalizojë miqësinë personale me Trumpin për t’i avancuar interesat e Seulit.
Kompanitë e Koresë së Jugut mbështeten shumë te tregtia me Shtetet e Bashkuara dhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, të dyja vendet ishin përplasur për ndarjen e kostos për rreth 26 mijë e 500 trupat amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut si trashëgimi e Luftës Koreane të periudhës 1950 – 1953.
Zyrtarët në Seul kanë qenë duke punuar për t’u përgatitur për ndryshime të konsiderueshme ekonomike, ndërsa presidenti Yoon të dielën bëri thirrje për bisedime qeveritare dhe të industrive për t’u përgatitur për rikthimin e Trumpit.
Bruce Klingner nga Fondacioni i Trashëgimisë në Uashington, pajtohet që dy presidentët mund të zhvillojnë një lidhje të fortë, por paralajmëroi se ajo mund të mos jetë e mjaftueshme për ta kursyer Korenë e Jugut nga ndikimet negative./Nacionale