Presidenti i Madagaskarit e bën kryeministër gjeneralin Zafisambo - NACIONALE

Presidenti i Madagaskarit e bën kryeministër gjeneralin Zafisambo

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, të hënën e emëroi kryeministër të vendit ishullor afrikan gjeneralin Ruphin Fortunat Zafisambo. Emërimi i tij u bë një javë pas shpërbërjes së Qeverisë si reagim ndaj protestave të vazhdueshme për shkak të mungesës së rrymës dhe ujit.

Zafisambo e zëvendësoi ish-kryeministrin Christina Ntsay, i cili ishte shkarkuar si pjesë e lëvizjeve të presidentit. Gjenerali ishte drejtor i kabinetit ushtarak në zyrën e kryeministrit deri në emërimin e tij në pozitën e lartë të ekzekutivit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Para emërimit të kryeministrit të ri, presidenti Rajoelina tha se vendit i nevojitej një “kryeministër që është i aftë për t’i rikthyer rendin dhe besimin e popullit”.

Ai shtoi se prioritet kryesor i kryeministrit të ri do të jetë rikthimi i furnizimit me rrymë dhe ujë.

Më herët të hënën, protestuesit u rikthyen në rrugë për javën e tretë të protestave antiqeveritare.

Rajoelina e shkarkoi kabinetin e tij javën e kaluar, por shumë protestues tani po kërkojnë që politikani 51-vjeçar edhe vetë të japë dorëheqje.

Policia në kryeqytetin Antananarivo përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, tha një reporter i agjencisë “Reuters”. Shumë prej protestuesve ishin student që po shprehnin pakënaqësi ndaj Qeverisë në protestat që filluan muajin e kaluar.

Lajme të ngjashme