Presidenti i Argjentinës e ndalon gjininë asnjanëse në dokumente zyrtare
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, e ka ndaluar gjuhën me gjini asnjanëse në të gjitha dokumentet zyrtare dhe në administratën publike, tha të martën zëdhënësi presidencial, përderisa ai po vazhdon që ta zbatojë agjendën për shoqëri konservatore.
Me këtë vendim, që hyn në fuqi menjëherë, ndalohet “gjuha gjithëpërfshirëse dhe gjithçka që ndërlidhet me perspektivën gjinore në mbarë administratën publike kombëtare” – tha Manuel Adorni, zëdhënës i Qeverisë, raporton televizioni CNN.
Spanjishtja është gjuhë që ka gjini gramatikore. Shumica e emrave të gjinisë mashkullore mbarojnë me “o”, ndërsa ata të gjinisë femërore me “a”. Në përpjekje për të formuar gjuhë gjithëpërfshirëse në aspektin gjinor në shtetet ku flitet spanjishtja, ka pasur thirrje që të përdoren shkronjat “x”, “e” ose “@” për të formuar emra me gjini asnjanëse, në vend të përdorimit të mbaresave “o” ose “a”. Për shembull, “Latinx” në vend të “Latino” ose “Latina”.
Sipas zëdhënësit qeveritar, “perspektivat gjinore” janë përdorur si mjet politik.
Ky njoftim vjen pas ndalimit të gjuhës me gjini asnjanëse në ushtri pas një rezolute të Ministrisë së Mbrojtjes.
Debati rreth gjuhës me gjini asnjanëse është bërë çështje përçarëse në luftërat e kulturave në Amerikën Jugore dhe Amerikën Veriore. Milei më parë ka folur kundër “ideologjisë gjinore” – shprehje që ka gjetur hapësirë viteve të fundit në mesin e konservatorëve socialë, të cilët i kundërshtojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ.