Presidenti çek i fal ushtarët e akuzuar për vdekjen e një ushtari të arrestuar afgan - NACIONALE

Presidenti çek i fal ushtarët e akuzuar për vdekjen e një ushtari të arrestuar afgan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, të mërkurën i fali katër pjesëtarë të forcave special, të cilët ishin duke u ballafaquar me ndjekje penale nën dyshimin për krime të lidhura me vdekjen e një ushtari të arrestuar afgan.

Katër pjesëtarët e grupit 601 të forcave për operacione special pritej të gjykoheshin nën akuzat për zhvatje, mosbindje, shkelje të detyrimeve gjatë detyrës së rojës dhe dështim për ofrimin e ndihmës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Mediat çeke kishin raportuar se akuzat lidheshin me vdekjen e ushtarit 19-vjeçar afgan, Wahidullah Khan, pasi ai ishte ndaluar për një sulm ndaj trupave në bazën “Shindand” në pjesën perëndimore të Afganistanit në vitin 2018.

Një ushtar çek ishte vrarë në sulm, ndërsa dy të tjerë ishin plagosur.

“Pas vlerësimit me kujdes të të gjitha rrethanave të këtij rasti, Presidenti i Republikës e mori parasysh në veçanti natyrën e jashtëzakonshme të situatës së luftës në të cilën ndodhi incidenti nën hetim” – tha zyra e presidentit Pavel.

Më tej, kjo zyrë tha se fakti që ushtarët nuk ishin të akuzuar në rend të parë për krime të dhunshme gjithashtu ishte marrë parasysh.

Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, e para kishte raportuar për incidentin më 2018. E përditshmja kishte shkruar se ushtari afgan ishte rrahur pasi ishte dërguar në ndalim nga trupat amerikane e çeke, ishte pa vetëdije, kur u ishte kthyer forcave afgane po atë ditë dhe kishte vdekur pak më vonë.

Disa ushtarë amerikanë e çekë ishin duke u hetuar për incidentin, shkruante gazeta amerikane atë kohë.

Ushtria çeke ka operuar në Afganistan nga viti 2002 deri më 2021, kur forcat perëndimore të udhëhequra nga ShBA-ja u tërhoqën përfundimisht nga vendi. Në pushtet u rikthyen talibanët./Nacionale

Lajme të ngjashme