Premtime, pretendime e paralajmërime: Pikat kyçe të fjalimit të Putinit - NACIONALE

Premtime, pretendime e paralajmërime: Pikat kyçe të fjalimit të Putinit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, e mbajti të enjten fjalimin vjetor për gjendjen e shtetit të tij. Megjithatë, ai përmendi shumë tema, të cilat nuk lidhen vetëm me Rusinë. Fjalimi ishte i gjatë – zgjati rreth dy orë. Në të kishte premtime për fonde për kategori të ndryshme të shoqërisë ruse, pretendime për suksese e zhvillim brenda vendit si dhe paralajmërime për Perëndimin. Cilat ishin pikat kyçe?

BBC

-Putini pretendoi se Perëndimi dëshiron të shohë një Rusi “që po vdes”, por se kishte bërë llogari të gabuar për shkak të vendosmërisë dhe unitetit të popullit rus.

-Ai paralajmëroi se çfarëdo dislokimi i trupave perëndimore në Ukrainë do të kishte pasoja “tragjike”.

-Kreu i Kremlinit gjithashtu pretendoi se shumica e rusëve e përkrahin pushtimin e plotë të Ukrainës, që tashmë ka hyrë në vitin e tretë. Rusia i referohet luftës në Ukrainë si “operacion special ushtarak”.

-Më tej, presidenti rus paralajmëroi se retorika e Perëndimit paraqet rrezik për një “konflikt me përdorim të armëve bërthamore dhe, rrjedhimisht, shkatërrim të civilizimit”. Ai shtoi se armët bërthamore strategjike të Rusisë janë “në gatishmëri të plotë luftarake”.

Megjithatë, pjesa më e madhe e fjalimit të presidentit rus iu kushtua çështjeve të brendshme:

-Ai i vlerësoi lart bizneset ruse që janë hapur pas largimit të kompanive perëndimore nga Rusia për shkak të sanksioneve.

-Putini tha se digjitalizimi është çelësi, duke theksuar se interneti me shpejtësi të lartë duhet të jetë i qasshëm për secilin në mbarë vendin.

-Presidenti rus bëri thirrje edhe për “modernizimin” e sistemit të taksave në Rusi me qëllimin që të arrihet “shpërndarje më e drejtë e barrës së taksave”.

-Ai njoftoi edhe një numër të projekteve mjedisore e klimatike.

-Putini pretendoi se Rusia është ekonomia më e madhe në Evropë në GDP (prodhimi vendës bruto). BBC-ja nuk mundi ta vërtetonte menjëherë këtë pretendim.

-Veteranëve të “operacionit special ushtarak” në Ukrainë ua premtoi vendet më të mira në universitete dhe një program trajnimi të quajtur “koha e heronjve”.

Duke e përmbyllur fjalimin, Putini tha: “Ne jemi një familje e madhe, jemi bashkë dhe prandaj do të veprojmë siç jemi duke planifikuar dhe ëndërruar. Unë besoj në fitoret dhe suksesin tonë dhe në të ardhmen e Rusisë.”

Lajme të ngjashme