Pranvera si verë në Spanjë, temperatura të enjten pritet të shkojë në 38 gradë
Shërbimi kombëtar i motit në Spanjë tha se temperaturat në shumicën e territorit të vendit do të arrijnë në nivele tipike për verën. Në pjesën jugore, temperatura maksimale të enjten pritet të shkojë në 38 gradë.
Përderisa njerëzit po ballafaqohen me vapën, mediet spanjolle raportuan se Ministria e Shëndetësisë do të shqyrtojë një plan për parandalimin e vapës dy javë më herët për t’i ndihmuar rajonet që të reagojnë ndaj efekteve të motit jashtëzakonisht të nxehtë për këtë periudhë të vitit.
Agjencia Shtetërore Meteorologjike, e cila njihet si AEMET, tha se temperaturat janë jashtëzakonisht të larta për prillin për shkak të një mase të jarit shumë të ngrohtë e të thatë, i cili po vjen nga Afrika Veriore, raporton agjencia “Associated Press”.
Para një fundjave më të gjatë, shumë njerëz shkuan në plazh. Megjithatë, banorët që nuk mund të largoheshin nga kryeqyteti Madrid, i cili ndodhet larg bregdetit, e patën më zor. Lolo Gutierrez, 70 vjeçe, tha se është e brengosur se si do të jetë moti, kur të vijë vera.
“Kjo tashmë është e papërballueshme. Jemi vetëm në prill. Nëse kjo është duke ndodhur në prill, si do të jetë qershori”- tha ajo.
Viti i kaluar ishte më i nxehti në Spanjë që nga fillimi i grumbullimit të të dhënave më 1961 dhe viti i gjashtë më i thatë pavarësisht nga prania e fenomenit “La Ninja”, që shkaktoi rënie të lehtë të temperaturës mesatare globale.
Qeveria spanjolle ka kërkuar fonde urgjente nga Bashkimi Evropian për t’i përkrahur bujqit për shkak të motit të thatë në zonat bujqësore të vendit.
Spanja është eksportuesja më e madhe e ullinjve në botë si dhe eksportuese e rëndësishme e pemëve dhe perimeve për tregun evropian. Thatësia tashmë i ka çuar çmimet e vajit spanjoll të ullirit në nivele rekorde.