Praktikantja për shofere autobusi përfundon me të në Lumin Sena – merr me vete edhe një veturë - NACIONALE

Praktikantja për shofere autobusi përfundon me të në Lumin Sena – merr me vete edhe një veturë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Një praktikante për shofere autobusi përfundoi bashkë me mjetin në Lumin Sena të Francës, pasi fillimisht goditi një veturë të parkuar dhe doli nga rruga të enjten në mëngjes, thanë zyrtarët.

Autoriteti lokal i transportit i tha BBC-së se vozitësja po i afrohej fundit të “mësimit praktik” gjatë incidentit në Juvisy-sur-Orge, rreth 20 kilometra në jug të Parisit.

Testet për alkool dhe drogë kanë dalë legative, tha një zëdhënës, dhe shkaktari i aksidentit tani për tani nuk dihet.

Prefektura Essonne tha se të katër personat që ndodheshin në autobus janë shpëtuar nga uji, ku mbi 90 zjarrfikës, zhytës dhe policë morën pjesë në operacionin e shpëtimit.

Një zëdhënës tha se vozitësja po shoqërohej nga një “vozitës udhëheqës” dhe dy pasagjerë. Autoritetet kanë urdhëruar një hetim të brendshëm për incidentin.

Kryetarja e qytezës Juvisy-sur-Orge, Lamia Bensara Reda, tha se vozitëses i kishte “humbur kontrolli” mbi autobusin afër një stacioni që ndodhet afër bregut të lumit, “para se të binte në Lumin Sena dhe të tërhiqte me vete një veturë të parkuar”.

“Të gjithë u shpëtuan shpejt dhe, fatmirësisht, janë mirë dhe shëndosh” – shtoi ajo.

Një dëshmitar i tha agjencisë franceze të lajmeve, AFP, se autobusi nuk u kthye në një kthesë djathtas afër lumit, por “shkoi drejt dhe mori një veturë me vete”.

Kalimtarët e rastit shkuan me nxitim te vendi i ngjarjes dhe në ujë u hodhën goma shpëtimi para se të arrinin shërbimet e shpëtimit, tha dëshmitarja 55-vjeçare e quajtur Elisabeth.

Agjencia AFP tha se disa barka shpëtimit, një dronë e disa helikopterë u përdorën si pjesë e operacionit./Nacionale

Lajme të ngjashme