Porti turistik grek mbushet me qindra mijëra peshq të ngordhur
Autoritetet greke këtë javë kanë filluar që të mbledhin qindra mijëra peshq të ngordhur që janë grumbulluar në qytetin qendror bregdetar, Volos, pasi ishin zhvendosur nga habitatet e tyre natyrore në ujëra të freskëta gjatë vërshimeve vitin e kaluar.
Trupat e peshqve të ngordhur formuan një shtresë ngjyrë argjendi në mbarë portin dhe sollën një erë të keqe që i alarmoi banorët dhe autoritetet, raporton gazeta “The Guardian”.
“Shtrihet me kilometra. Nuk është vetëm përgjatë bregdetit, por gjithashtu në qendër të Gjirit Pagasetik” – tha anëtari i këshillit të qytetit, Stelios Limnios, duke iu referuar zonës ujore të Volosit, bregdeti i të cilit është i mbushur me shtëpi për pushime.
Të mërkurën, barkat e peshkimit tërhoqën rrjeta për t’i mbledhur peshqit e ngordhur që pastaj hidheshin në kamionë. Më shumë se 40 tonë peshq të ngordhur janë mbledhur gjatë 24 orëve të fundit, thanë autoritetet.
Kryetari i Volosit, Achilleas Beos, tha se era ishte e padurueshme. Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ai i fajësoi autoritetet qendrore se gjoja nuk e kanë trajtuar problemin para se peshqit e ngordhur të grumbulloheshin në qytet. Ai tha se peshqit e ngordhur mund të shkaktojnë katastrofë mjedisore për specie të tjera të zonës.
Ekspertët thanë se problemi është shkaktuar nga vërshimet historike të vitit të kaluar. Vërshimet e shkaktuan rimbushjen e një liqeni që ishte shteruar më 1962 në përpjekje për ta luftuar malarien.
Ministria e Mjedisit nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Prokurorët lokalë kanë dhënë urdhër për një hetim.
Kjo katastrofë është ndikimi më i ri i motit të skajshëm në Greqi, të cilin shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike, përfshirë temperaturat më të larta dhe reshjet masive që shkaktojnë zjarre në natyrë dhe vërshime./Nacionale