Popullsia e Ukrainës ka rënë për 10 milionë që nga fillimi i luftës, thotë OKB-ja - NACIONALE

Popullsia e Ukrainës ka rënë për 10 milionë që nga fillimi i luftës, thotë OKB-ja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Popullsia e Ukrainës është zvogëluar për dhjetë milionë njerëz, ose për rreth çerekun e saj, që nga fillimi i pushtimit të plotë rus si rezultat i largimit të refugjatëve, rënies së numrit të lindjeve dhe pas vdekjeve nga lufta, thanë të martën Kombet e Bashkuara.

Duke folur në një konferencë për gazetarë në Gjenevë, Florence Bauer, drejtoreshë e Fondit të Popullsisë për Evropën Lindore në OKB, tha se fillimi i pushtimit të Ukrainës më 2022 kishte shndërruar një situatë tashmë të vështirë demografike në diçka më të rëndë, raporton agjencia “Reuters”.

“Shkalla e lindjeve ra shumë dhe tani është rreth një fëmijë për grua, që është ndër më të ulëtat në botë” – tha ajo. Nevojitet shkallë e lindjeve prej mesatarisht 2,1 fëmijësh për një grua që një popullsi të mbahet e qëndrueshme.

Ukraina, që kishte popullsi prej më shumë se 50 milionë banorësh në kohën e rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, njësoj si pothuajse të gjithë fqinjët e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, i është nënshtruar tkurrjes së madhe të popullsisë. Më 2021, viti i fundit para fillimit të pushtimit rus, vendi kishte rreth 40 milionë banorë.

Zonja Bauer tha se llogaritja e saktë e ndikimit të luftës ndaj popullsisë së Ukrainës ka nevojë për kohë deri pas përfundimit të konfliktit, kur do të mund të kryhej regjistrimi i plotë i popullsisë.

Ajo shtoi se ndikimi i menjëhershëm është në rajonet që janë shpopulluar pothuajse tërësisht, në fshatra ku kanë mbetur vetëm të moshuarit dhe te çiftet që nuk kanë mundësi të nisin familje.

Rusia, shumë më e madhe se Ukraina, para fillimit të luftës kishte mbi 140 milionë banorë dhe gjithashtu është ballafaquar me përkeqësim të situatës demografike që nga nisja e pushtimit të Ukrainës. Rusia e ka regjistruar shkallën më të ulët të lindjeve që nga viti 1999 në gjashtë muajt e parë të këtij viti, nivel që Kremlini e ka përshkruar si “katastrofal”.

Pjesa më e madhe e rënies së numrit të popullsisë raportohet se u përket refugjatëve – 6,7 milionë – që tashmë jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Evropë. Një faktor tjetër janë edhe vdekjet gjatë luftës.

“Është vështirë për të pasur shifra të sakta, por vlerësimet variojnë rreth dhjetëra mijëra viktimave” – tha zonja Bauer.

Lajme të ngjashme