Polonia e zgjedh “Saab”-in suedez për marrëveshjen miliardëshe për tri nëndetëse - NACIONALE

Polonia e zgjedh “Saab”-in suedez për marrëveshjen miliardëshe për tri nëndetëse

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Polonia tha të mërkurën se e ka zgjedhur prodhuesin suedez “Saab” për ta furnizuar me tri nëndetëse, në një marrëveshje multimiliardëshe që formon një element kyç të përpjekjeve të Varshavës për ta fuqizuar mbrojtjen në Detin Baltik.

Polonia i ka rritur investimet në ushtri për t’iu kundërvënë atij që e sheh si kërcënim në rritje nga Rusia pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Marrëveshja me Suedinë si pjesë e programit “Orka” për fuqizimin e ushtrisë polake është shembull i përpjekjeve të Varshavës për të ndërtuar në aleancë të Baltikut, pasi lidhjet e saj tradicionale me Evropën Qendrore janë nën trysninë e përçarjeve sa u përket Rusisë dhe qasjeve ndaj Bashkimit Evropian.

“Suedia e paraqiti ofertën më të mirë në aspektin e të gjitha kritereve, kohës së dorëzimit dhe kapacitetit operacional, sidomos në Detin Baltik” – tha në një konferencë për gazetarë zëvendëskryeministri i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.

Ai tha se vlera e marrëveshjes është rreth 10 miliardë zlotë (2,73 miliardë dollarë) dhe shtoi se Suedia është zotuar se do të blejë disa lloje armatimi nga Polonia si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të bashkëpunimit si dhe për të ofruar një nëndetëse përkohësisht në mënyrë që ushtria polake të ushtrohet në të.

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Saab”, Micael Johansson, tha se njoftimi i Polonisë shënon një “arritje fantastike” për kompaninë. “Është tepër e rëndësishme për Detin Baltik dhe pasja e kësaj aftësie në të dyja anët e detit do të thotë shumë” – shtoi ai.

Prodhuesi “Saab”, i cili prodhon një varg të gjatë të pajisjeve ushtarake, përfshirë aeroplanët ushtarakë, sistemet e vëzhgimit, raketat e nëndetëset, Poloninë do ta furnizojë me nëndetëse të tipit “A26”./Nacionale

Lajme të ngjashme