Polonia e thërret në takim ambasadorin izraelit për një postim në X - NACIONALE

Polonia e thërret në takim ambasadorin izraelit për një postim në X

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Polonia të hënën e thirri në takim ambasadorin e Izraelit në Varshavë për shkak të një postimi në rrjetin X nga instituti përkujtimor i Holokaustit, në të cilin, sipas Polonisë, nuk bëhej e qartë se forcat pushtuese naziste gjermane, e jo autoritetet polake, i kishin detyruar hebrenjtë që të vendosnin yllin e Davidit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, protestoi kundër një postimi në rrjete sociale në të cilin Yad Vashem, instituti përkujtimor për viktimat e Holokaustit, tha se Polonia ishte shteti i parë ku hebrenjtë ishin detyruar që të vishnin “një shenjë dalluese për t’i izoluar nga popullsia përreth”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai tha se postimi, i publikuar të dielën, do të duhej të bënte të qartë se Polonia ishte “e pushtuar nga Gjermania” në atë kohë.

“Pasi postimi hutues nuk është ndryshuar, unë kam vendosur që ta thërras ambasadorin e Izraelit në Ministrinë e Jashtme” – shkroi kryediplomati polak në rrjetin X.

Ministria e Jashtme e Izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Megjithatë, instituti Yad Vashem e ka ripublikuar postimin fillestar me mbishkrimin: “Siç u theksua nga shumë përdorues dhe saktësuar në mënyrë eksplicite në artikullin me link, kjo u bë me urdhër të autoriteteve gjermane.”

Polonia ishte e pushtuar nga Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila u zhvillua nga viti 1939 deri më 1945. Më shumë se tre milionë nga 3,2 milionë hebrenjtë e Polonisë u vranë nga Gjermania naziste, duke përbërë rreth gjysmën e hebrenjve të vrarë në Evropë gjatë Holokaustit.

“Yad Vashem i përfaqëson realitetet historike të nazizmit dhe Luftës së Dytë Botërore, përfshirë shtetet nën pushtimin, kontrollin ose ndikimin gjerman. Polonia ishte vërtet nën pushtimin gjerman” – shkroi në rrjetin X të hënën drejtori i këtij instituti, Dani Dayan./Nacionale

Lajme të ngjashme