Polonia e blen sistemin e avancuar kundërajror CAMM nga Britania për 2,1 miliardë euro
Dega britanike e prodhuesit evropian të raketave, MBDA, të premten nënshkroi një marrëveshje me vlerë të rreth 2,1 miliardë eurove me Poloninë për ta furnizuar këtë shtet me sistemin e mbrojtjes ajrore CAMM, tha qeveria britanike.
“Jam i kënaqur që lidhjet e thella të mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë po bëjnë një hap tjetër përpara me nënshkrimin e marrëveshjes më të madhe ndonjëherë të eksportit britanik të mbrojtjes me Poloninë”- tha ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace.

Sipas marrëveshjes, Britania do të furnizojë 22 bateri polake të mbrojtjes ajrore me raketa CAMM dhe raketahedhës. Qeveria britanike tha se me këtë kontratë do të mbështeten mbi 500 vende pune në kompaninë MBDA UK, raporton agjencia “Reuters”.
Ky grup është në pronësinë e kompanive “Airbus” të Francës, “BAE Systems” të Britanisë dhe “Leonardo” të Italisë. Dy të parat kanë nga 37,5 për qind të aksioneve, ndërsa e treta 25 për qind.
Qeveria tha se raketat CAMM, të prodhuara nga kompania MBDA UK, tashmë janë dislokuar në Poloni dhe se ushtria britanike do ta mbrojë hapësirën ajrore të këtij vendi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
Sistemi mund të vërë në shënjestër caqe ajrore dhe raketore deri në 25 kilometra larg dhe mund të godasë një objekt me madhësinë e topit të tenisit që është duke lëvizur më shpejt se me shpejtësinë e zërit, tha qeveria.
Vitin e kaluar, Londra, Varshava dhe Kievi u pajtuan që të zhvillonin një bashkëpunim trepalësh përmes forcimit të aftësive të mbrojtjes dhe pjesën lindore të NATO-s.
