Policia Ushtarake arreston pesë ushtarë britanikë, dyshohen për krime lufte në Siri - NACIONALE

Policia Ushtarake arreston pesë ushtarë britanikë, dyshohen për krime lufte në Siri

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pesë pjesëtarë të Shërbimit Special Ajror të Mbretërisë së Bashkuar janë arreshtuar nga Policia Ushtarake Mbretërore nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës gjatë operacioneve në Siri.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se nuk do ta komentojë drejtpërdrejt hetimin, por burimet e mbrojtjes dhanë shenjë se raportimet për arrestimin e pesë ushtarëve, që ishin duke qarkulluar në qarqet ushtarake për ca kohë, ishin të sakta, raporton gazeta “The Guardian”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: “Ne e mbajmë personelin tonë sipas standardeve më të larta dhe çfarëdo dyshimi për shkelje merret seriozisht. Aty ku është e duhur, çfarëdo dyshimi kriminal drejtohet te policia e shërbimit për hetim.”

Rasti i pesë ushtarëve ka të bëjë me akuzën për vrasje të një xhihadisti të dyshuar në Siri, i cili ishte vrarë gjatë operacioneve para dy vjetëve. Policia e shërbimit ka dërguar dosje të rastit me rekomandim për ndjekje penale nën akuzën për vrasje tek Autoriteti i Ndjekjes Penale i Shërbimit.

Dyshohet se këta pesë ushtarë kishin përdorur forcë të tepërt në incident, edhe pse merret vesh se trupat e përfshira e kanë mohuar këtë, duke argumentuar se ata besonin se burri tashmë i vdekur paraqiste kërcënim legjitim, duke e justifikuar kështu vrasjen e tij.

Shërbimi Special Ajror (SAS) është dislokuar në mënyrë aktive në Siri gjatë dekadës së fundit, i angazhuar në mënyrë të fshehtë në luftën kundër ISIS-it dhe në përkrahje të Forcave Demokratike Siriane, aleate kurdë të Perëndimit me bazë në verilindje të Sirisë.

Nuk është e qartë nëse arrestimi i ndonjërit prej pesë ushtarëve britanikë do të çojë në ndjekje penale dhe dënimet ndaj ushtarëve britanikë për krime lufte janë tepër të rralla. Megjithatë, arrestimi i tyre vjen në kohën kur aktivitetet e SAS-it në Afganistan gjithashtu po hulumtohen për shkak të pretendimeve se 80 afganë ishin vrarë në mënyrë jashtëgjyqësore nga kjo njësi.

Lajme të ngjashme