Policia suedeze paralajmëron për dezinformata në internet pas sulmit masiv në shkollë
Policia suedeze tha të mërkurën se nuk ka dëshmi për “motive ideologjike” prapa sulmit masiv në një qendër për arsimimin e të rriturve të martën dhe paralajmëroi për përhapje të dezinformatave në rrjete sociale rreth sulmit më vdekjeprurës me armë në shtetin e Evropës Veriore.
Të paktën 11 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë të shtënave në shkollën “Risbergska” në Orebro, qytezë me rreth 100 mijë banorë, ku shumë policë vazhduan që t’i rrethonin vendin e ngjarjes dhe disa shkolla që ndodhen në kompleksin e kampusit të saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duam të jemi të qartë se, duke u mbështetur në të dhënat hetuese dhe të inteligjencës në kohën e tashme, nuk ka informacione që tregojnë për veprimin keqbërës mbi motive ideologjike” – thuhet në një deklaratë të shkurtër të policisë.
Më tej, policia tha se motivi i krimit nuk ishte menjëherë i ditur dhe se beson që autori i dyshimtë, i cili ishte në mesin e të vdekurve dhe nuk ishte më parë i njohur për policinë, veproi vetëm.
Kryeministri Ulf Kristersson të martën tha se ky ishte sulmi më i rëndë masiv në historinë e Suedisë, duke e quajtur “ditë të dhimbshme”, ndërsa Mbreti Karl XVI shprehu ngushëllime.
Shumë nxënës në sistemin e shkollimit për të rritur në Suedi janë imigrantë që synojnë ta përmirësojnë shkollimin e tyre themelor dhe të marrin diploma për të gjetur më lehtë punë në këtë shtet, ndërkohë duke e mësuar edhe gjuhën suedeze.
Policia tha në deklaratë se nuk sheh ndonjë kërcënim të përgjithshëm ndaj shkollave në vend e as kundër shkollave për arsimin për të rritur, përfshirë klasat suedeze për imigrantë./Nacionale