Po rritet rreziku për përleshje të armatosur mes fuqive bërthamore, thotë rusi Shoigu
Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, ish-ministër i Mbrojtjes, paralajmëroi në një intervistë të publikuar të premten se është duke u rritur rreziku për një përleshje të armatosur mes fuqive bërthamore.
Në intervistën me agjencinë ruse të lajmeve, TASS, ish-ministri i Putinit tha: “Në kontekstin e rritjes së konfliktit dhe të përkeqësimit të rivalitetit gjeopolitik në botë, rreziqet për një përleshje të dhunshme mes shteteve kryesore, përfshirë pjesëmarrjen e fuqive bërthamore, janë duke u rritur.”
Shoigu shtoi se NATO-ja është duke i shtuar aktivitetet në krahun lindor të saj, afër Rusisë dhe Bjellorusisë, dhe se aleanca po bën atje ushtrime me skenarë sulmues e mbrojtës, përcjell agjencia "Reuters".
NATO-ja thotë se është Rusia ajo që po i rrit tensionet, përfshirë njoftimin e vitit 2023 se do të dislokonte armë bërthamore taktike në Bjellorusi, shtet që kufizohet me tri vende të NATO-s.
Shoigu tha se Rusia dhe Bjellorusia ishin duke ndërmarrë masa parandaluese kundër përpjekjeve të Perëndimit me të cilat synohet “destabilizimi i situatës… nga brenda”.
Ai e përsëriti deklaratën se Bjellorusia tani ndodhet nën mbrojtjen e arsenalit bërthamor të Rusisë, si pasojë e ndryshimeve që presidenti Vladimir Putin i njoftoi vitin e kaluar në doktrinën e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore.
“Ombrella bërthamore ruse tani e siguron mbrojtjen e aleatit tonë më të ngushtë në skenarët e njëjtë kornizë në të cilët Rusia lejon një kundërpërgjigje bërthamore për mbrojtjen e vet” – tha ish-ministri rus.
“Më saktësisht, kur sprapset një sulm në të cilin përdoren armë të shkatërrimit në masë ose një agresion në të cilin përdoren armë konvencionale që krijon një kërcënim kritik ndaj sovranitetit ose integritetit territorial” – shtoi Shoigu./Nacionale