Po raportonte për valën e plaçkitjeve, ekipi televiziv amerikan plaçkitet edhe vetë - NACIONALE

Po raportonte për valën e plaçkitjeve, ekipi televiziv amerikan plaçkitet edhe vetë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ekip televiziv në Chicago të Shteteve të Bashkuara, që po raportonte për një varg plaçkitjesh, përfundoi i plaçkitur edhe vetë, pasi u ndalën nga tre persona të armatosur dhe të maskuar.

Kanali televiziv në gjuhën spanjolle, “Univision Chicago”, tha se një reporter dhe një fotograf ishin duke incizuar pak para orës 5 të mëngjesit të hënën në lagjen “West Town” në Chicago, kur tre burra të armatosur i plaçkitën ata, duke u marrë një kamerë televizive dhe disa gjëra të tjera, raporton agjencia “Associated Press”.

“Atyre iu afruan me armë dhe u plaçkitën. Kryesisht gjëra personale dhe morën edhe një kamerë”- tha Luis Godinez, zëvendësdrejtor i këtij televizioni.

Ai shtoi se ekipi ishte duke incizuar një rrëfim për plaçkitjet në lagjen “West Town”, që ishte planifikuar të transmetohej në lajmet e mëngjesit. Megjithatë, Godinezi tha se incizimi ndodhej në kamerën e vjedhur, prandaj rrëfimi nuk mund të transmetohej në televizion.

Policia në Chicago i identifikoi viktimat e plaçkitjes si dy burra të moshave 42 dhe 28-vjeçare. Policia tha se këta dy persona ndodheshin jashtë, kur tre të dyshuarit u afruan me një veturë ngjyrë hiri dhe një tjetër me ngjyrë të zezë. Pas marrjes së gjësendeve nga ekipi televiziv, të dyshuarit ikën me automjetet e tyre.

Nuk është raportuar për të lënduar dhe ende asnjë person nuk ishte kapur për këtë rast, tha policia.

Godinezi tha se televizioni nuk do t’i publikojë emrat e reporterit dhe fotografit për t’ua mbrojtur privatësinë. “Ata janë mirë dhe po punojnë për këtë së bashku, si ekip”- tha ai.

Ky ishte rasti i dytë i plaçkitjes ndaj një ekipi gazetarësh në Chicago, pasi një fotograf i televizionit WLS-TV u sulmua dhe u plaçkit më 8 gusht, përderisa po përgatitej që të mbulonte një konferencë për gazetarë.

Lajme të ngjashme